Trajneri i Romës, Jose Mourinho, i ka shkruar direkt mesfushorit shqiptar të Arsenalit, Granit Xhaka, se duhet ta marr vaksinën, pasi ky i fundit është prekur nga virusi.

Trajneri i njohur portugez ka shfrytëzuar rrjetin social “Instagram” për t’i komentuar Xhakës që ka vendosur të refuzojë vaksinimin.

Xhaka ka munguar për Zvicrën në ndeshjen e së mërkurës ndaj Greqisë pasi rezultoi pozitiv për virus, ndërsa ka gjasa të mungojë edhe në dy ndeshjet e radhës ndaj Italisë dhe Irlandës Veriore, pasi aktualisht është në karantinë.

Federata e Zvicrës ka konfirmuar se Xhaka ka refuzuar të vaksinohet, si i vetmi futbollist i ekipit kombëtar që nuk e ka bërë këtë gjë.

Mourinho ka shfrytëzuar postimin e fundit të Xhakës me ekipin kombëtar për t’i komentuar.

“Merre vaksinën Granit dhe je i sigurt”, ka shkruar portugezi. Nuk ka munguar as përgjigja e Granitit, duke e falënderuar trajnerin.