Norvegjia, vendi më i mirë në botë për nënat dhe fëmijët

Studimi – Vendet skandinave u ofrojnë nënave – sipas një studimi të kohëve të fundit të “Save The Children” –  sikurse dhe më parë, kushtet më të mira në botë. Vendet e fundit në renditje, gjenden ekskluzivisht në Afrikë ku në Somali apo Kongo për shembull, nënat dhe fëmijët duhet të vuajnë ende nga pasojat e luftimeve

Norvegjia u ofron nënave kushtet më të mira në botë për të jetuar e mirërritur fëmijët e tyre, ndërsa Somalia është vendi që u ofron atyre kushtet më të këqija, ose më mirë të themi vetëm vuajtje: që dy vendet nuk kanë asgjë të përbashkët dhe madje janë aq larg njëri-tjetrit, këtë ide na e rifreskon edhe me shifra e statistika një studim më i fundit me trend krahasimor shumë të lartë, të cilin organizata e famshme e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në botë, “Save the Children” e bëri të njohur të hënën gjatë kësaj jave në Nju Jork.

“Indeksi i Nënave” për herë të 16-të

Në të ashtuquajturin “Indeksi i Nënave”, të cilin organizata në fjalë e publikon për vitin e gjashtëmbëdhjetë radhazi, ajo sjell rezultatet që kanë dalë nga vëzhgimi me kujdes i kushteve e rrethanave në të cilat jetojnë, punojnë e banojnë nënat në 179 vende të botës, të matura në pesë indikatorë: vdekshmëria ndër nënat, vdekshmëria ndër fëmijët nën pesë vjeç, kohëzgjatja mesatare e arsimit, të ardhurat për kokë, si dhe pjesëmarrja e grave në qeverisje.

 

Norvegjia ia ka dalë të zhvendosë këtë vit Finlandën që vjet zinte vendin e parë, duke marrë “podin e nderit”. Edhe vendet e tjera më poshtë, kanë pësuar rënie e janë zëvendësuar nga nordikët që duket se në këtë aspekt janë më të mirët në botë, sikurse ndoshta edhe në shumë aspekte të tjera.

Kështu, Islanda renditet e treta, duke u pasuar nga Danimarka e Suedia. Më pas, renditen Holanda e Gjermania, Spanja dhe vendin e dhjetë e ndajnë me pikë të barabarta, Australia e Belgjika.

SHBA, pas Polonisë e Kroacisë

Franca dhe Britania e Madhe zënë përkatësisht vendet 23 dhe 24. Edhe më poshtë qëndrojnë SHBA, të cilat me distancë nga topdhjetëshja, njohin edhe një distancë të konsiderueshme nga Britania, duke zënë vendin e 33-të. E sipas studimit të “Save the Children”, kushtet për nënat në atë vend çuditërisht rezulton të jenë më të këqija sesa në Kroaci ose Poloni për shembull.

Me një rast vdekjeje të regjistruar për çdo 1800 gra, SHBA dëshmon vdekshmërinë më të lartë të nënave ndër të gjitha vendet e zhvilluara sot në botë.

Shefja e “Save the Children”, Carolyn Miles, deklaroi se të dhënat vërtetojnë se mirëqenia ekonomike e një vendi, nuk është i vetmi faktor për të qenë një “nënë e lumtur”. Duhen marrë edhe masa shtesë me karakter politik. Kështu, sipas raportit, Norvegjia nuk është vetëm e pasur, por i ka vendosur investimet për nënat dhe fëmijët ndër prioritetet e saj.

Somalia, vendi i fundit

Si vendi më i fortë në Bashkimin Europian, Gjermania për shembull, ndodhet e stabilizuar në dhjetëshen kryesore të renditjes, çka i përgjigjet edhe një perceptimi të përgjithshëm publik ndërkombëtar. Qysh vitin e shkuar, Republika Federale zinte vendin e tetë, ndërsa në 2013 ajo zinte atë të nëntin, çka tregon për një përmirësim në këtë aspekt.

Por medalja ka sigurisht edhe anën e saj të keqe. Dhjetë vendet më të këqija për një nënë me fëmijë në botë, ndodhen pikërisht në Afrikë, në kontinentin që lufton përditë me sfida që duket sikur nuk do fitohen dot kurrë. Në nëntë prej tyre ziejnë akoma konfliktet e armatosura.

Tri vendet e fundit i zënë me këtë rast Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos dhe Somalia. Në dhjetë vendet që kanë performacën më të dobët, thuajse një në tetë nëna humbet një fëmijë që akoma nuk i ka mbushur pesë vjeçët, ndërsa kjo shifër për referencë, në dhjetë vendet e para, është një në 290.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT