Një vend i rrallë në majat e Shqipërisë (Video)

Kamera e TCH ka shkuar rreth 88 kilometra nga qyteti i Shkodrës, drejt një destinacioni me bukuri të rralla e me mundësi të jashtëzakonshme turistike. Një vendi, që nëse do të ishte pjesë e Francës, Austrisë, Zvicrës e kudo tjetër, do të gjendej në të gjitha kartolinat, që do të shpërndaheshin në të gjithë Europën. Ndërsa në Shqipëri, ai nuk është reklamuar kurrë aq sa duhet. 

Kelmendi është një nga ato zona, ku tradita e historia shkojnë bashkë. Një vend kuvendesh e legjendash, burrash të moçëm, që duket sikur jehojnë ende në këto shkrepa. Studiues, historianë e shkrimtarë kanë folur e shkruar të mahnitur, nga ajo që kanë parë e prekur në Kelmend. Nga Koronelli te Nopça, Durham e kështu me radhë, kanë shkuar e ardhur në këto anë.

Punimet në rrugë sigurisht kanë lëvizur diçka. Më në fund, kjo zonë do të shohë infrastrukturën e munguar, të paktën kështu duket. E megjithatë, domosdoshmëri mbetet shpluhurosja e këtij vendi, që ofron hap pas hapi një natyrë të mrekullueshme. Të egër, të panjohur, e gjitha për t’u zbuluar…

Lepusha shfaqet që në fillim me hiret e saj. Fshatit, natyra i ka dhënë gjithçka, aq shumë sa hera-herës të bën të dyshosh nëse është i vërtetë apo ndonjë iluzion optik i krijuar mes maleve. Deri në vitin 1990, fshati ka pasur rreth 320 banorë; sot ka rreth 150. Por pse do të duhet të largoheshin njerëzit nga një vend i tillë?

“Une jam me burrin, kam një djalë dhe ai kërkon përditë të gjejë mundësinë të largohet, sepse nuk ka çfarë bën këtu, s’ka as punë asgjë”, thotë Drane Grishaj.

Banorët kanë bërë jo pak investime nga ana e tyre. Mjafton të përmendësh faktin se, në fshat ka mbi 6 shtëpi pritjeje. Mundësitë janë të jashtëzakonshme, por realiteti përtej tyre nuk është kaq rozë.

“Po është tepër e vërtëtë dhe e sigurtë se, reklamimi është fruti i turizmit për ne, duke na rritur numrin e turistëve. Më shumë na bëjnë publicitet të huajt, sesa po i bëjmë ne vetvetes”, thotë Luigj Cekaj, pronar i “Alpin”.

Për një vend, që mund të mbështesë ekonominë e banorëve të tij te turizmi, mungesat janë jo të vogla. Do të duhej më shumë vëmendje, që shteti të bënte shtetin, shoqëruar me investimet e nevojshme, e rrjedhimisht njerëzit nuk do të kishin nevojë të iknin nga Lepusha.

“Është lënë me të vërtetë pas dore, por është një vend shumë i mirë. Njerëzit janë superiorë për mikpritje në këtë vend. Edhe unë vet nuk jam nga ky fshat këtu, por këta janë njerëzit më të mirë në të gjithë Shqipërinë për mua”, thotë Tonin Shkoza.

“Deri më tani, çështjen e energjisë e kemi më mirë të themi zero. Vjen dimri, që është shumë i vështirë, dhe prish rrjetin. Ka qysh përpara 30 vitesh që s’ka vënë dorë askush; as tela, as gjeneratorë, as shtylla, asgjë”, thotë Gjeto Nilaj.

A duhet të kishte papunësi një vend, që veç turizmit ka edhe shumë mundësi të tjera? Zona ka bimë medicinale, është e pasur në kërpudha, boronica, luleshtrydhe të egra, mjedra, salep etj. Ka mundësi të mëdha për bujqësi dhe blegtori, por kjo mesa duket ka qenë dhe është e pamjaftueshme për banorët.

Mungesa e projekteve, financimeve, mbështetjes, tregut etj., janë vetëm disa ndër elementët, që i kanë mbajtur ngërthyer ekonomitë e vogla të familjeve të fshatit.

“Nuk e ka mbështetur askush këtë popull, vetëm çfarë punojmë ne vet. Edhe ne nuk është se po jemi në gjendje të punojmë shumë, së fundi”, thotë Dill Nilaj.

Kanë dëshirë t’i shprehin problemet e tyre, të flasin për to, e dikush t’i dëgjojë. Jo thjesht për të kaluar radhën, siç ndodh rëndom fushatave elektorale. Shpresojnë që diçka të zgjidhet, e jo me fjalë.

“Kemi edhe një problem me këtë rrugën e Lëpushës, sepse kjo ka pasur një fond për t’u asfaltuar në 2013-n, për të asfaltuar me të plot 1800 metra. Është shtruar asfalti në vetëm 1000 metra dhe pjesën tjetër e mori firma e kontraktuar, se me kë e ndau atë hise”, thotë Mark Daci.

“Fjalët dhe premtimet janë të bukura kur bëjnë fushatat. Ne bazohemi në ato dhe u japim votën me dorën tonë, se na premtojnë. Sesa realizohen, e shikoni vet ju dhe unë po ju them të vërtetën”, thotë Sokol Daci.

Në Lëpushë dimri është shumë i ashpër, aq sa shpesh bora mund të shkojë deri në 2 metra. Atëherë është edhe momenti më i vështirë. Ndihmat duken rrallë, e më rrallë duket ndonjë mjet për të hapur rrugët. Në masë dërrmuese, më shumë se shteti shqiptar, në ndihmë u kanë ardhur shqiptarët e përtej kufirit në Mal të Zi, në zonën e Plavës dhe Gucisë. Nëse s’do të ishin ata, Lëpusha do të mund të qëndronte edhe 6 muaj pa komunikim mes borës.

“Duam më shumë vëmendje nga shteti. Ta shohin këtë vend, sepse është i vështirë gjatë dimrit. Ta mirëmbajnë rrugën, sepse bllokohet në këto zona. Njerëzit sëmuren dhe po nuk qe rruga hapur, është shumë keq”, thotë Prek Nilaj.

“Rrugët qëndrojnë të mbyllura vetëm për një traktor, edhe pse jemi në vitin 2015. Këtu ka njerëz të sëmurë, kanë fëmijë të sëmurë. Duhet t’i nisim vetëm me shtrat për t’i çuar poshtë”, thotë Xhustina Grishaj.

Çatitë e shtëpive shkrihen përmes luginës. Vjeshta me ngjyrat e saj ka rrethuar kudo Lëpushën. Do të duhej të iknin e të vinin pafund turistë në këtë vend, që ne e gjejmë jo pak të heshtur.

Në Lëpushë do të mund të rrije gjatë, duke larguar zhurmën e bezdisjen e qyteteve të mëdha, duke hedhur tej ndotjen dhe kaosin e kudondodhur. Sa shumë mundësi ka ky vend, e sa pak ne i shfrytëzojmë këto mundësi.

A mos duhet vallë, që Lëpusha të ishte në një shtet tjetër, për të qenë e reklamuar sa ç’duhet? Çfarë kanë më shumë nga ky, përveç mbështetjes dhe investimeve, destinacionet që shqiptarët preferojnë në Mal të Zi, Bullgari e diku tjetër?! Lëpusha ka gjithçka, përveç projekteve, të cilat fatkeqësisht nuk bëhen me fjalë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT