Një qytetare, që banon jashtë Kosovës, ka shkruar në Facebook, se si, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i ka humbur e drejta e votës.

Ajo në një postim në Facebook, ka treguar se në telefon e kishte të aktivizuar “work policy”. Kjo është një mundësi për ata që nuk duan të shpërqendrohen në punë dhe stopon telefonatat që vijnë nga numrat e paregjistruar.

Pas punës, ajo thotë se ka kontaktuar KQZ-në, për t’i treguar se ka humbur një telefonatë nga ajo.

“Më keni thirrur për identifikim të ID-së, por për shkak të work policy, telefoni im bllokon thirrjet anonime”, ka shkruar qytetarja t’i ketë thënë KQZ-së. “Na falni, por ne nuk mundemi më ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, ju nuk mund të votoni”, thotë ajo, t’i jenë përgjigjur nga KQZ-ja.

Sipas postimit të saj, ajo u ka treguar në KQZ se edhe një javë është në Kosovë dhe se mund të shkojë fizikisht në zyrat e KQZ-së.

“Nuk ka diçka që ne mundemi me bë në këtë drejtim”, thotë ajo, t’i kenë thënë nga KQZ-ja.

KQZ-ja ka marrë vendim që të gjithë ata që aplikojnë nga jashtë për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit, t’i kontaktojë në numrin që lënë në aplikacion dhe nëse nuk përgjigjen, u merret e drejta e votës.

KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje përgjigje nga KQZ-ja për këtë çështje, por nuk ka arritur të kontakt më askënd.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pas presionit të madh rreth këtij vendimi, ka thënë se qytetarët do të kontaktohen tri herë në kohë të ndryshme, por sipas asaj që ka shkruar kjo qytetare, ky nuk është rasti.