Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në rend të ditës së seancës se Kuvendit të Kosovës të enjten është përfshirë diskutimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë seancës se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet, me qëllim të emërimit të një bordi të ri, i cili sipas tij, do të fillojë me procedurat për shuarjen e këtij institucioni.

“Që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi. Dy dekada të pasluftës janë dekada të de-industrializimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo do të marrë fund. Kjo është arsye pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.

Ndërkaq deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi ka thënë se një mbledhje e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili përbëhet nga 8 anëtarë, i kushton buxhetit të shtetit 26 mijë euro.

Veç një mbledhje e 8 personave = 26 mijë euro, ka shkruar Rrustemi.

Futja në rend dite e raportit të AKP-së dhe kërkesa për shkarkimin e bordit është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se kërkesa për të futur në rend të ditës çështje të cilat nuk janë të njoftuar paraprakisht deputetët, është jo serioze.

“Nuk po e kuptojmë këtë urgjencë. Mund të thirrni seancë, nesër ose pasnesër, për çështje që edhe deputetët janë të njoftuar. Janë propozime të rëndësishme që po trajtohen në mënyrë joserioze. Kush prej deputetëve e ka ditë që do të trajtohen këto tema sot”, ka thënë Gashi.

Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).