Një ishull i vogël finlandez hap dyert për migrantët nga Kosova. por punë aty s’ka!

Qyteti më i vogël finlandez është Kaskinen, një ishull pranë bregdetit Ostrobothnian. Ky ishull është ballafaquar me krizë ekonomike që nga mbyllja e fabrikës lokale “Metsä-Botnia” më 2009, ndërsa porti i tij detar ka pësuar rënie në qarkullim. Një prej qëllimeve kryesore komunale ka qenë shtimi i numrit të banorëve në këtë qytet dhe këtë ia kanë mundësuar 70 azilkërkues.

Qyteti i vogël ishullor Kaskinen, me një popullsi prej 1321 banorësh, është një vend i qetë dhe ka mungesë të vendeve të punës. Shifrat e fundit tregojnë se 15.4 për qind e banorëve lokalë janë në kërkim të punës – në krahasim me mesataren në vend që është 8.3 për qind. Megjithatë, ardhja e 70 azilkërkuesve i ka ndihmuar qytetit që të arrijë synimet për shtim të popullatës, transmeton Koha.net.

Kryesuesi i bordit të qytetit, Carl-Gustav Mangs, thotë të jetë i kënaqur me fluksin e banorëve të rinj, megjithatë ai shqetësohet sepse nuk e di çfarë të bëjë me ta pas parasysh papunësinë në qytet.

“Problemi ynë më i madh është se kemi shumë pak vende pune. Nëse do të kishim më shumë kompani këtu, do të kishim edhe çfarë të ofronim”, thotë Mangs. “Me aq sa unë e kuptoj, ka edhe shumë azilkërkues tjerë që do të kënaqeshin sikur të ishin këtu në Kaskinen. Natyrisht se do të më bëhej qejfi sikur në Kaskinen të vinin edhe më shumë njerëz, por nuk kemi vende pune për t’ju ofruar”.

Familja Dinolli, një çift me dy djem, kanë arritur në ishull gjashtë muaj më parë nga Kosova, atje ku babai, Selim Dinolli, ka punuar si mekanik. Ata jetojnë në ish-strehimoren e punëtorëve të “Metsä-Botnia”.

Dinolli thotë se nëse iu aprovohet azili, ata do të donin të rrinin në ishullin e vogël. Ai i thotë gazetës Yle se është i gatshëm të bëjë çfarëdo pune, çoftë ajo për rregullim veturash apo pastrim.

Prindërit ndjekin klasë për mësimin e gjuhës finlandeze dy herë në javë në qytet, në të cilin dy të tretat e banorëve flasin finlandisht. E djemtë, të moshave 7 dhe 10 vjeç, shkojnë në shkollë në qytetin e afërt Kristinestad, ku flitet në shumicë gjuha suedeze. Edhe në Närpesin fqinj është e njëjta, vend në të cilin jetojnë shumë emigrantë dhe një industri në zhvillim e serrave.

Qyteti Kaskinen ka angazhuar dy firma konsulence që për dy vjet kanë provuar të tërheqin më shumë banorë që të zhvendosen atje – por, pa sukses. Ata kanë theksuar se porti i qytetit mund t’ju sjell avantazh konkurrues në të ardhmen.

“Qarkullimi në limanin tonë ka rënë dukshëm që kur është mbyllur fabrika e Metsä-Botnia”, thotë Mangs. “Mund të themi lirshëm se qarkullimi ka rënë deri në 50 për qind. Por ne kemi kapacitet që të pranojmë tre apo katër herë më shumë anije në port se që pranojmë tani”.

Mangs konkludon se nuk ka shumë shpresë që biznesi në fabrikë të rikthehet deri në rimëkëmbjen e përgjithshme të eksportit finlandez.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT