Një emblemë kundër krimeve

Simon Wiesenthal është një prej figurave emblematike hebreo-amerikane, që ka kontribuar për ndjekjen, gjetjen dhe dorëzimin përpara drejtësisë së kriminelëve nazistë të Luftës së Dytë Botërore.
Mbi këtë lëndë Vizental ka shkruar një ese të gjatë, “Lulja e diellit”, e botuar për herë të parë në anglisht në vitin 1976 “Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes”, për personat që kanë kryer krime kundër njerëzimit. Kjo ese për herë të parë përballet edhe në gjuhën shqipe, me përkthimin e Ilir Harshovës
Kur u botua për herë të parë “Lulja e diellit” në vitin 1976 nga “Schocken Books”, filluan të bëheshin kurse për Holokaustin në kurrikulat e kolegjeve, të shkollave të mesme dhe në seminare. Meqenëse ishte një tregim që të ftonte për diskutime, u bë një nga librat më të përdorshëm mësimor. Simon Vizentali tregon një histori personale të një ngjarjeje në një kamp përqendrimi dhe pyet se çfarë do të bënit ju po të ishit në vendin e tij. Teologë, udhëheqës politikë dhe moralë, shkrimtarë iu përgjigjën pyetjes – pyetje që është njëkohësisht fetare, politike, morale dhe personale – secili sipas perspektivës së tij. Ashtu siç mund të pritej, u shprehën opinione nga më të ndryshmet. Megjithatë, secili që u përgjigj, duhej ta mendonte veten në vendin e një të burgosuri të një kampi përqendrimi, të përballej me monstruozitetin e krimeve dhe të reflektonte mbi ndikimin e tyre në vendimin që do të merrte. Në këtë rast të veçuar, a ishte falja një opsion dhe çfarë do të thoshte ajo si për viktimën, edhe për kriminelin?
Njëzetvjetori i botimit të parë në këtë vend krijoi rastin për një botim të ri të “Lules së diellit”. Ky botimi i dytë paraqet 32 përgjigje të reja të shkruara për këtë vëllim, 10 të mara nga botimi i mëparshëm dhe një nga Eduard H. Flaneri i riparë për këtë botim. Tri kontribute – nga Zhan Emeri, Kardinali Konig dhe Albert Sper- u përkthyen nga botimi gjerman i vitit 1981 dhe jepen këtu për herë të parë në përkthimin anglisht.
Përse duhej një botim i ri i “Lules së diellit”? Nën dritën e ngjarjeve të njëzet viteve të fundit, menduam se do të ishte me interes të dëgjonim përgjigjet e gjeneratës së re. Nga njëra anë, koha e zbeh kujtesën; nga ana tjetër, njohuritë dhe ndjeshmëritë për Holokaustin janë shtuar përmes arsimit. Edhe ata që nuk kanë jetuar Holokaustin, kanë filluar të kuptojnë se ç’do të thotë për një popull të humbasë një të tretën e pjesëtarëve të tij në gjenocid, së bashku me kulturën, gjuhën dhe historinë. E veçanta e asaj ngjarjeje ka filluar të futet në vetëdijen popullore. Për më tepër, ne pritnim që ndryshimet e rëndësishme në mësimet e Kishës Katolike rreth hebrenjve në këto vite si dhe ngjarjet dhe zhvillimet ndërfetare, do të sillnin përgjigje të ndryshme prej atyre të gjeneratës së parë. Më në fund, bota po vazhdon të shohë tmerre që u afrohen atyre të gjenocidit – në Bosnje, në Kamboxhia, në Kinë dhe në shumë vende të tjera rreth e rrotull globit, ku klasa të tëra popujsh vihen në shënjestër për t’u asgjësuar nga regjime kriminale. Çështja e ngritur nga Vizentali në këtë libër mbetet aktuale mes nesh. Duke tejkaluar kontekstin origjinal, ajo futet në problemet bashkëkohore.
Pak mund të mos pranojnë që udhëheqës kriminelë dhe politikëbërës të mos dalin para drejtësisë. Qendra e Dokumentacionit e Vizentalit, e cila ndjek kriminelët nazistë, ka ndihmuar që të çohen para drejtësisë mbi 1100 nazistë që nga mbarimi i luftës. Për punën e tij Vizentali është nderuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Holandës, Italisë dhe Izraelit. I përkushtuar ndaj nevojës së zbatimit të ligjit ndërkombëtar, Vizentali i ka shkruar Presidentit Klinton në korrik të vitit 1995 dhe i ka kërkuar që të dënojë organizatorët e terrorit në ish-Jugosllavinë: “Ngjarjet në Bosnje, ashtu siç na i paraqet media sot, me të gjitha krimet kundër njerëzimit – pastrimin etnik, vrasjen e civilëve pa marrë parasysh moshën, përdhunimin e grave myslimane – edhe pse nuk përbëjnë një Holokaust – përsërisin shumë prej tmerreve të tij… Unë besoj se dënimi i Karaxhiçit dhe Mladiçit, fillimisht verbalisht dhe pastaj me kërcënim për nxjerrje para drejtësisë – do të kenë efekt. Shtetet e Bashkuara munden, shpresoj, t’u venë fre këtyre dy njerëzve dhe ushtarëve të tyre duke shpallur publikisht se krimet që kanë kryer nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”. Rëndësia për botën e mbajtjes së individëve të tillë përgjegjës për krimet e tyre nuk mund të diskutohet.
Por pyetja e vënë te “Lulja e diellit” është më e hollë dhe, në njëfarë mënyre, më shqetësuese. Çfarë duhet bërë me njerëzit e zakonshëm, me individët pa emër, që kryejnë krime kundër të tjerëve të urdhëruar nga udhëheqësit e tyre? Cila është përgjegjësia individuale e njerëzve të zakonshëm, të verbuar apo të detyruar nga ideologjia politike e ditës dhe të atij numri të vogël që u vjen keq për veprimet e tyre apo që mund t’i dënojnë ato në një situatë tjetër? Ne i përshëndesim individë heroikë që sfidojnë dhe minojnë veprimet imorale të qeverive të tyre, pa marrë parasysh rreziqet me jetë që përmban ajo rezistencë – por çfarë të bëjmë me të kundërtit?
Për më tepër, kur vrasjet kanë ndaluar, si arrin një popull të bëjë paqe me një tjetër, kur pak më parë ishin armiq për vdekje? Cilat janë kufijtë e faljes dhe a është pendesa – fetare apo sekulare – e mjaftueshme? A është e mundur të falësh dhe të mos harrosh? Si mundet të pajtohet viktima me të kaluarën e tij dhe të ruajë humanizmin dhe moralin në atë proces?
Të gjitha këto çështje ngrihen në këtë libër të thjeshtë e modest të pyetjeve, të bazuar mbi një takim të vetëm dhe të veçantë midis dy individëve rrugët e të cilëve u takuan në mënyrë të çuditshme dhe tragjike.
Tetor 1996
Vizental, emblema e drejtësisë kundër krimeve në shqip
Simon Vizental është një prej figurave emblematike hebreo-amerikane, që ka kontribuar për ndjekjen, gjetjen dhe dorëzimin përpara drejtësisë së kriminelëve nazistë të Luftës së Dytë Botërore. Mbi këtë lëndë Vizental ka shkruar një ese të gjatë, “Lulja e diellit”, e botuar për herë të parë në anglisht në vitin 1976 “Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes”, për personat që kanë kryer krime kundër njerëzimit. Ai ngre pyetje dhe kthen përgjigjet e veta, duke lënë të hapur këtë diskutim edhe për përgjigjet e të tjerëve. Pjesa e dytë e librit përbëhet nga përgjigjet e një sërë njerëzve të shquar që janë prononcuar për këtë problematikë, që nga Dalai Lama, përfaqësues të ndryshëm fetarë, personalitete të politikës, njerëz që kanë përjetuar tmerret e gjenocideve më të fundit në Bosnje e mjaft të tjerë. Kjo ese për herë të parë përballet edhe në gjuhën shqipe, me përkthimin e Ilir Harshovës, nga botimet “Toena”. /Standard
- Advertisement -

MË TË FUNDIT