Nisma për Kosovën ka renditur dhjetë ngjarje ku sipas kësaj partie do të mbahen mend 100 ditët e kësaj Qeverie të cilën Nisma e quan “Qeveria e dalë nga një marrëveshje muzgu.
Lexojeni komunikatën e plotë të Nismës për Kosovën për 100 ditshin e Qeverisë
Kjo qeveri e dalë nga një marrëveshje muzgu do të mbahet mend, për këto 100 ditët e para, për:
Vrasjen e shpresës se qytetarëve, se në ketë vend do të ketë ndryshime të shumë pritura, se do të ketë perspektivë, zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, arsim cilësor, shëndetësi të dinjitetshme dhe punësim. Vrasja e shpresës se kombit që në shumë sondazhe ishte ndër më optimistet në botë, nuk ka guxuar të ndodh në një vend me demokraci parlamentare të proklamuar në dokumentin bazik të shtetit.
Për shpërnguljen masive apo ikjen e qytetarëve nga Republika e Lirë e Kosovës, nga shteti sovran e demokratik, pa dyshim që kjo ishte dhe është edhe ana më e dhimbshme e cila është konfirmuar jo vetëm gjatë këtij 100 ditshi. Kjo ka krijuar rrezikun e krijimit të një nostalgjie për një sistem të shkuar, të njohur edhe në shkallë botërore, si jo human dhe antidemokratik, mbase edhe kriminel (gjenocidal për shqiptarët).
Vazhdimin e kapjes së institucioneve të shtetit nga grupe e klane të subjekteve më të mëdha politike e klienteliste në vend. Të cilat gjatë këtyre viteve kanë dominuar në të dy nivelet e qeverisjes në Republikën e Kosovës dhe kanë krijuar kaos në të gjitha sferat e jetës. Dëshmi e kësaj është ikja e mbi 100.000 qytetarëve në drejtim te vendeve te BE-së.
Rrënimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi e sidomos, në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat skandale e patën rastin ti shohin e dëgjojnë qytetarët e Kosovës. Ajo që e pamë, tregon nivelin më shumë se mjeran në Prokurorinë e shtetit. Gjendja aspak më e mirë nuk është as në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Gjykata si dhe në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën ditëve të fundit reagoi edhe Avokati i popullit. Ky degradim ka prodhuar edhe kërkesën për një Gjykatë Speciale e cila në një formë a tjetër e suspendon Sistemin e Drejtësisë në Kosovë. Sigurisht që kjo e fundit nuk është vetëm rezultat i 100 ditëve të fundit, por ky 100 ditësh veç sa e ka përkeqësuar gjendjen.
Mos konsolidimin e Kabinetit qeveritar, pasi Kryeministri i qeverisë ende nuk e “di” sa zëvendësministra do të ketë dhe sa ata do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit?! Pse Kryeministri nuk e thotë asnjë fjalë për ketë? Apo, ai me vartësin e tij po tentojnë ta vazhdojnë mashtrimin e madh të filluar gjatë fushatës zgjedhore? Madje qeveria as me projektligje nuk e ka furnizuar në masën e duhur Kuvendin e Kosovës.
Mos dërgimin në Kuvendin e Kosovës dhe njoftimin e opinionit me Programin qeverisës as pas 100 ditëve të qeverisjes, duke mos deklaruar me asnjë shifër konkrete për veprat që do të kryhen në shërbim të publikut, por një Program të mbushur me teorizma të thata, në stilin “do të bëjë ketë e atë”. Prioritetet që i përmend ai “Program i ri”, janë prioritetet e të gjitha qeverive të më hershme.
Pranimin se Sistemi i Arsimit në Kosovë është në gjendje të keqe, këtë e pranoi edhe Ministri i Arsimit, Shkencës e i Teknologjisë. Ministri foli edhe për parregullsitë në regjistrimin e studentëve në Universitetin e Pejës. Ministri e dinë se regjistrimi nuk është problemi, problemi është te cilësia e dijeve të marruara në Universitetet tona publike, problemi është te falsifikimi i diplomave ( si u morën ato diploma) dhe kryerja e shkollimit pa dije, e deformime të tjera të pa fundme.
Vazhdimin e gjendjes tepër të rëndë në Sistemin e Shëndetësisë publike. Ky sistem tani më është i degraduar dhe degradimi ka ardhur nga politika dhe keq qeverisja. Nuk është te mungesa e kuadrove të shkolluara e të përgjegjshme, me të cilat kuadro Kosova po e furnizon edhe vendet e BE-së. Te cilët kuadro po të menaxhoheshin mirë do ta kryenin punën e tyre me ndërgjegje e përkushtim e profesionalizëm të lartë.
Këto 100 ditë kanë konfirmuar për pa aftësinë e qeverisë për t’i përmbyllur Listat e veteranëve të luftës çlirimtare. Te cilat lista me të drejtë kanë ngjallur reagime të shumta te luftëtarët e vërtetë. Edhe një pjesëmarrësi po t’i mohohet e drejta për të qenë veteranë është padrejtësi. Është padrejtësi edhe futja në ato lista edhe e një mashtruesi dhe të tillë ka shumë në listat e Komisionit qeveritar. Pyetja që duhet të shtrohet, është, kush i futi aty mashtruesit dhe pse? Kush janë mashtruesit e mëdhenj? Ata janë në Kabinetin qeveritar.
Vazhdimin e keq përdorimit të parasë publike për luksin e Kabinetit qeveritar (të më shumë se 21 ministrave e zëvendësministrave të shumtë, të cilët nuk i “di” as Kryeministri), dhe për vazhdimin e tenderomanisë e te korrupsionit jo vetëm si percepcion. Këto gjëra jo vetëm që janë duke e rrënuar qeverisjen dhe politikën para qytetarëve tanë, por janë duke e rrënuar mbi të gjitha autoritetin e kombit tonë para botës demokratike. /RTK/Drenicapress/