Nis seanca dëgjimore për 36 policët e arrestuar të dyshuar për korrupsion

Ka nisur seanca dëgjimore për 36 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nga veriu dhe jugu i Mitrovicës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

Musa Damati, avokat i të dyshuarit S.M., oficer në stacionin Veri, ka thënë se kërkesa e prokurores Zejnie Kela për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh nuk është e elaboruar si duhet dhe është e gjeneralizuar, raporton KTV.

Avokati i policit A.H., Mahmut Halimi, ka thënë se ai si avokat ende nuk i ka në dorë provat e prokurorisë ndaj klientit të tij e që sipas tij, kërkesa e prokurores për caktim të paraburgimit nuk ka kurrfarë baze ligjore.

21 prej këtyre pjesëtarëve janë nga stacioni Veri dhe 15 të tjerët janë nga Jugu i Mitrovicës. Ata janë arrestuar të hënën në një aksion të gjerë të Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe të cilët dyshohen se janë të përfshirë në vepra të ndryshme penale, si marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.