Nga sot Europa do të jetë ndryshe: Greqia i thotë “Jo” kreditorëve, Fleckenstein

    Greqia duket se vendosi të dalë nga zona euro. Deri tani janë numëruar mbi 50% e votave të referendumit të sotëm dhe duket se votuar kundër reformave të kreditorëve ndërkombëtarë.

    Sipas “Ekathimerini”-t, deri në orën 21:00 u numëruan rreth 52% e votave të referendumit, nga të cilat 61.22% kanë votuar jo, ndërsa 38.78 kanë votuar “Po”.

    Sipas mediave helene, procesi i votimit ka qenë i qetë dhe me një pjesëmarrje rreth 65%, përtej kufirit prej 40% që e bën referendumin të vlefshëm.

    Karakteristikë e kësaj jave që në dukje duket se ka ndarë grekët në dysh për vendimin e tyre ndaj masave të kreditorëve, ishte qetësia dhe situata nuk ka qenë aspak e polarizuar.

    Me interes tashmë pritet dita e nesërme për të gjithë grekët, që gjithsesi në shumicën e tyre dëshirojnë qëndrimin në Eurozone.

    Kryeministri Alexis Tsipras ka deklaruar se pavarësisht rezultatit do të fillojë menjëherë negociatat e reja me kreditorët. Sipas burimeve qeveritare, ai tashme ka në dorë dy armë të fuqishme, vullnetin e lirë të një populli që kërkon të jetojë i barabartë mes të barabartëve në Europë, si dhe raportin e fundit të FMN-së që kërkon nga BE-ja reduktim të borxhit grek, pasi ai është i paqëndrueshëm.

    Ndërkaq, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Holond do të takohen të hënën për të biseduar për çështjen greke. Presidenti francez si dhe kryeministri italian kishin deklaruar orët e fundit se pavarësisht rezultatit, vendi i Greqisë është në eurozonë.

    Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein ishte i pari zyrtar euorpian që reagoi në faqen e tij të “Facebook”-ut, ku shkruante se këtë rezultat nuk e priste dhe se referendumi ishte diçka e gabuar. Ai thotë gjithashtu se nga sot situata në Europë dhe Greqi do të jetë shumë e rëndë.