Nënshkruhet kontrata kolektive në Telekomin e Kosovës

Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj sot e nënshkruan kontratën kolektive

 Kontrata kolektive ka rëndësi të veçantë për Telekomin e Kosovës, pasi që krijon përgjegjësi më të madhe në mesin e punonjësve, zhvillon ndjenjën e respektit dhe përgjegjësisë, nxitë ndjenjën e sigurisë, ngrit moralin dhe produktivitetin e tyre si dhe ndihmon në zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjeve të mundshme.

 Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës Agron Mustafa theksoi se nënshkrimi i kësaj kontrate përmbyllë një proces të nisur që nga viti 2010.

 “Kjo kontratë qartëson dhe plotëson marrëdhëniet korrekte mes menaxhmentit dhe punonjësve, duke dëshmuar se Telekomi i Kosovës, përveç të bërit biznes, gjithashtu kujdeset edhe për raportin me punonjësit e vet”, deklaroi Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i Telekomit të Kosovës. 

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, do të jetë më e lehtë edhe për menaxhmentin që të zgjidhë çështjet në nivelin e bisedimeve, pasi që hapet edhe një kanal shtesë komunikimi, duke ngritur pjesëmarrjen e punonjësve në vendimmarrje.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës z. Lamih Balaj tha se Drejtori Menaxhues Agron Mustafa ka pasur qasje shumë pozitive dhe konstruktive në lidhje me këtë çështje që nga dita e parë e fillimi të punës së tij.

 

“Asnjëri nga ish-kryeshefat e kompanisë sonë nuk qenë i gatshëm ta nënshkruaj këtë kontratë, ndërkaq sot synimi ynë po realizohet falë gatishmërisë së kryeshefit aktual dhe për këtë i jam shumë mirënjohës në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovë. Kjo kontratë kolektive është harmonizuar nga të dy palët e përfshira, në përputhje me kontratën nacionale dhe inkurajoj të gjithë punonjësit që të vazhdojnë me punën dhe përkushtimin e tyre drejt arritjeve të reja”, pohoi Lamih Balaj.

Përveç rëndësisë që kontrata kolektive ka për Telekomin e Kosovës dhe punonjësit e saj, ajo gjithashtu është e rëndësishme për shoqërinë në përgjithësi, pasi që krijon një klimë të favorshme, e cila ndihmon në përpjekjet e përgjithshme të vendit për zhvillim ekonomik e social.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT