Nënkryetari i komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri, ka folur për situatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare ku tha se as në këtë komunë nuk kanë mundur që t’i rezistojnë një situatë që ka qenë në krejt Kosovës, ku Vetëvendosja doli e para.

Por, sipas Ymerit, ishte një situatë interesante ku nga 1 mijë e 40 vota sa kishte Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë, kandidati i saj e që ishte edhe kryetar i degës atje ka marrë diku 430-40 vota ndërsa Vjosa Osmani ka marrë 640 vota ku votuesit e LDK-së e kanë votuar Osmanin që në këtë rast ishte edhe bartëse e listës.

“Ne besojmë se këto vota do të kthehen në LDK sepse shifrat në zgjedhje lokale e parlamentare ndryshojnë, ne kemi pasur edhe më herët raste të tilla kur ne kemi marrë më pak vota në zgjedhje parlamentare por më shumë në zgjedhje lokale”, është shprehur Ymeri në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Tutje, ai thotë se nuk e përkrahë idenë e barrikadimit të partive politike në baza të etnisë, pasi që edhe qytetarët serbë që jetojnë në këtë komunë janë qytetarë të Kosovës.

“Nuk e përkrahi idenë e barrikadimit të partive politike në baza etnike sepse qytetarët e komunitetit serb që jetojnë aty janë qytetarë tanë dhe jetojnë me shekuj të tërë sikur ne që jetojmë aty dhe të drejtën e votës e kanë edhe ata si ne”.

“Ata janë numerikisht më shumë se ne dhe mundësinë e fitores e kanë më të lehtë. Ajo se ka po na pengon neve është se në këtë rast votuesit që po vijnë nga Serbia po na imponojnë një qeverisje lokale dhe po kthehen nga ku kanë ardhur”, është shprehur Ymeri, njofton Klankosova.tv.