Në Tiranë protestohet kundër Demarkacionit

Me parullat “Nuk kemi tokë për të falur!”, “Bjeshkët e Nemuna jo në Mal të Zi!”, “Jo demarkacionit!”, “Nuk kemi tokë me shpërblye largimin e Malit të zi nga Rusia”, “S’e paguajmë me tokë shqiptare hyrjen e Malit të zi ne NATO”, qindra qytetarë protestuan sot para ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Në një njoftim për media, u tha se protesta u organizua nga pedagogë, studentë, intelektualë të profesioneve të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile.

Ky tubim iu bashkëngjit protestave që po mbahen në qytete të Kosovës për mosmiratimin në Kuvendin e Kosovës të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, më 1 shtator.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit në protestën para ambasadës së Kosovës kundërshtuan demarkacionin që ia humbet Kosovës 8,200 hektarë.

Në fjalën e hapjes, aktivistja e shoqërisë civile Brizida Gjikondi tha se shqiptarët kanë toka për të marrë dhe jo për t’u dhënë fqinjëve dhe se bota nuk të do po të mos duash themelet e tua.

Studenti dhe aktivisti Pavjo Gjini kujtoi se dita e sotme është edhe ditëlindja e Abdyl Frashërit dhe se historia nuk ka mbaruar për ne shqiptarët dhe atë duhet ta bëjnë sot e për çdo ditë.

Ai kërkoi nga qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ketë një politikë aktive për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kosova nuk duhet parë prej Shqipërisë siç e sheh diplomacia ndërkombëtare, sepse Kosova është brenda kontekstit shqiptar.

Ali Lajçi dhe Ukë Rugova në emër të përfaqësuesve të qytetarëve të Pejës që kishin ardhur enkas për të përshëndetur tubimin e Tiranës, theksuan se ajo që po ndodh me demarkacionin është ekspansion paqësor i Malit të Zi dhe ata radhitën pasuritë natyrore e pikat strategjike që Kosova humbet nëse demarkacioni ratifikohet në Kuvendin e Prishtinës.

Në fund të tubimit, regjisori Bashkim Rodoni lexoi deklaratën publike të pjesëmarrësve të protestës drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe bëri thirrje që t’u bashkohen protestës me 1 shtator në Prishtinë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT