Në Shqipëri vota blihet 10 mijë lekë

Fushata e zgjedhjeve vendore është cilësuar nga shumëkush si e qetë dhe pa incidente serioze, pavarësisht se nga opozita janë ngritur akuza për blerje votash. Kur kanë mbetur dhe një javë nga gara elektorale e 21 qershorit, në Bashkinë e Vorës këto akuza janë kthyer tashmë kundër tyre. Policia e Tiranës njofton se, më 12 qershor ka nisur procedim në gjendje të lirë, me akuzën e blerjes së votës, për kryetarin e Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismailin, pasi u ka dhënë nga 10 mijë lekë dy personave, me qëllim që më 21 qershor të votojnë për të. Shuma e parave i është dhënë 45-vjeçarit me inicialet B.S dhe 49-vjeçarit Sh.B në ambientet e zyrës së firmës së tij “Agro Blend” në Vorë.

Për këtë vepër penale, Kodit Penal dhe parashikon dënim me gjobë ose burg, nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Prej disa ditësh Bashkia e Vorës është kthyer në qendër të akuzave sa i përket blerjes së votave dhe shtimit në lista të votuesve fiktivë. Ishte sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili artikuloi tre ditë më parë akuzat nga salla e Kuvendit për shtim në lista të zgjedhësve të rreth 600 personave, të cilët nuk kishin lidhje me Bashkinë e Vorës. Kryebashkiaku Fiqiri Ismaili garon në këto zgjedhje nën siglën e PD-së, përballë kandidatit të koalicionit të majtë Luan Sallaku. Ismaili drejton prej 3 mandatesh Bashkinë e Vorës.

Prokuroria e Tiranës, pas njoftimit të policisë së shtetit për nisjen e procedimit penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, thotë se nga ana e akuzës nuk ka asnjë veprim konkret për rastin e Vorës. Sipas prokurorisë, akuza e kryeqytetit po e ndjek situatën në Vorë, për të vlerësuar nisjen e hetimeve të mundshme. Gjithsesi deri më tani nuk ka kallëzim nga palët apo referim materiali nga policia, thotë zyra e kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Fakte për blerjen e votës në Vorë

Blerja e votës nga kryebashkiaku aktual i Vorës është lakuar shumë në medie, që në nisje të fushatës zgjedhore. Tri ditë më parë nga Policia e Shtetit u bllokuan disa furgona të mbushur me sasi të mëdha thasësh me miell, deri në 125 të tillë, të kompanisë “Agro Blend” në pronësi të kryebashkiakut të Vorës, Fiqiri Ismaili. Sasi të mëdha mielli i’u shpërndahen individëve të ndryshëm, që dyshohet se u jepet banorëve të Vorës në këmbim të votës.

Reagimet në të dy krahët e politikës

Vendosja nën akuzë për blerje vote e kryetarit të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, solli reagime nga të dy krahët politikë. Nga selia e LSI-së reagoi sekretari i Përgjithshëm i saj, Luan Rama, i cili e kishte denoncuar këtë fakt edhe të enjten në Parlament. Sipas tij, ky rast nuk është veçse një episod në serialin e gjatë të provave të shumta të falsifikimit dhe të përpjekjeve për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. Ai u ka bërë thirrje vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe kryediplomatëve të huaj në vendin tonë, që deri ditën e zgjedhjeve të jenë të pranishëm në Vorë, pasi sipas tij në këto ditë do të ketë përpjekje të vazhdueshme të kryebashkiakut Fiqiri Ismaili për të korruptuar votuesit.

Më tej ai shtoi se kishte dorëzuar në prokurori kallëzimin për noterin Shaban Gjoka, i cili sipas denoncimeve të qytetarëve, fshihet pas falsifikimit të votës, duke shtuar zgjedhës fiktivë në Bashkinë e Vorës. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ka deklaruar se procedimi i Ismailit është një skenar i koalicionit PS-¬LSI, që po përdor sipas tij, Policinë e Shtetit për qëllimet e veta. “Aktet e fundit në Vorë, ku policia e shtetit është vënë tërësisht në shërbim e në urdhrat e Ilir Metës dhe LSI-së, tregojnë qartazi që kjo mazhorancë, Meta por edhe bashkëpunëtori i tij Rama, janë gati të çojnë demokracinë drejt shkatërrimit dhe vendin drejt stabilizimit për interesat e tyre mafioze”, u shpreh ai.

Sipas tij, ka patur dhunë direkte gjatë gjithë kësaj kohe, edhe ndaj biznesit të kandidatit Ismaili, pasi i është bllokuar malli dhe mjetet e punës. “Për të gjitha këto, Partia Demokratike po bën gati denoncimin për ndjekje penale ndaj shefit të komisariatit Vorë. Partia Demokratike u bën thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve të impenjohen seriozisht për evidentimin dhe denoncimin e akteve të tilla kriminale ku e gjithë struktura e shtetit duke filluar nga policia përdoren si organizata kriminale dhe mafioze për të grabitur votën e shqiptarëve”, u shpreh Paloka. Po për këtë çështje ka reaguar Astrit Patozi nëpërmjet një letre të hapur, drejtuar institucioneve më të larta të vendit dhe trupit diplomatik.

Incident në Kolonjë

Kryetari i degës së Partisë Republikane në Kolonjë, Olti Nazarko, është dhunuar me mjete të forta në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në fshatin Mollas. Për këtë ngjarje, ai hodhi akuza se dhunuesit e tij janë persona të nxitur nga kryetari i Partisë Socialiste në këtë rreth, Ilirjan Hyseni. Sipas tij, njëri prej tre dhunuesve ishte nipi i kryetarit Hyseni, ndërsa dy të tjerët militantë socialistë. Olti Nazarko është kryetar i PR Kolonjë dhe kryesues i listës për këshillin bashkiak. Pas këtij denoncimi, Policia e Korçës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02.45, në një lokal të fshatit Mollas. Pas kontaktit të marrë me 40 –vjeçarin Nazarko, rezultoi se ky shtetas ishte në gjendje të dehur dhe kishte marrë disa plagë në kokë. Nga verifikimet paraprake dyshohet se këto plagë, janë marrë si pasojë e një konflikti të çastit, me dy shtetas të tjerë, të cilët janë shoqëruar në Komisariat: E.R, 38 vjeç dhe E.R, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Qafëzez-Kolonjë. Të majtët e Kolonjës kanë reaguar në lidhje me incidentin, duke thënë se vetë Nazarko ka provokuar sherrin.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT