Do të kalojë edhe së paku kjo javë dhe nga presidentja e Republikës së Kosovës nuk do të ketë vendim nëse Aleksandër Lumezi do të dekretohet si kryeprokuror i Shtetit apo jo.
Lumezi është në pritje teksa në pritje është edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili emrin e Lumezit e ka dërguar si të nominuar në Presidencë qysh nga data 23 shkurt, shkruan “Zëri”.
Nga Zyra e Presidentes arsyetohen me faktin se kanë afat ligjor prej 60 ditësh që nga pranimi i emrit të Lumezit derisa Këshilli Prokurorial i Kosovës edhe njëherë e ka përsëritur thirrjen në drejtim të presidentes që kjo e fundit sa më parë të marrë vendimin për dekretimin ose jo të Aleksandër Lumezit.
Ndërkohë u.d. i kryeprokurorit në Presidencë e ka dërguar edhe një shkresë përmes së cilës ka kërkuar nga e para e vendit që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të tre anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sevdije Morinës, Jetish Malokut e Bajram Ukës. /Zëri/