Në Mitrovicë mbahet Festivali i Teatrove të Shkollave

 

Në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, të mërkurën u mbajt Festivali i Grupeve Teatrore të Shkollave Fillore të Mitrovicës, ku me shfaqje nga tematikat e ndryshme të përditshmërisë shkollore,  u paraqitën njëmbëdhjetë grupe teatrore shkollore.

Juria në përbërje Fazli Hajrizi, kryetar dhe Fisnik Rama e Agim Spahiu, anëtarë,  nuk  patën punë të vështirë, për zgjedhjen e më të mirëve, pasi pati shfaqje vërtetë të punuara dhe interpretuara mirë.

Kryetari i komunës Agim Bahtiri, që e hapi këtë Festival, ndër të tjera tha se në këtë ditë të rëndësishme për kulturën në komunë e më gjerë, ai ndjehet shumë mirë që është në mesin e talenteve.

“Të gjithë e dimë se Mitrovica ishte, është dhe sigurisht se do të mbetet qytet i prodhimit të vlerave të mirëfillta kulturore dhe ky festival i juaji që po mbahet sot, është pjesë e këtyre vlerave dhe e begaton jetën kulturore në qytetin tonë të bukur”, tha kryetari Bahtiri.

Ai u shpreh të jetë i bindur se edhe ky festival, do të sjell pa dyshim vlera të reja teatrore dhe do të zbuloj talente të rinj, që në të ardhmen do të bëhen emra të respektuar të kulturës teatrore në Mitrovicë, Kosovë e më gjerë.

“Duke ju dëshiruar paraqitje sa më të mirë në skenë, ju uroj suksese juve nxënës të dashur dhe juve mësimdhënës të nderuar,  në punën që po bëni për afirmimin e vlerave në fushën e artit skenik” tha në fund Bahtiri.

Pjesëmarrësit në festival i ëprshëndeti dhe ju uroj sukses edhe drejtoresha e arsimit në komunën e Mitrovicës, Ajmane Barani.

Në këtë Festival me shfaqje u paraqitën shkollat: “Eqrem Çabej”, “Avdullah Shabani”,”Shemsi Ahmeti”, “Elena Gjika”, “Ismajl Qemali”, “A. Z. Çajupi”, “Nonda Bulka”, “Bedri Gjinaj”, “Musa Hoti”, si dhe shkollat e mesme ekonomike “Hasan Prishtina” dhe Gjimnazi “Frang Bardhi”.

Juria pasi ka shikuar të gjitha shfaqjet në sallën përplot me nxënës dhe adhurues të skenës, nesër do të shpall emrat e shfaqjes fituese dhe emrat e aktorëve më të mirë në këtë Festival.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT