Në Mejë, u përkujtuan të vrarët në këtë masakër

Me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve të Republikës së Kosovës, është shënuar sot në Meje të Gjakovës, 27 Prilli, dita e të zhdukurve të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Komunës së Gjakovës, në “Lëndinën e Pikëllimit” në Meje, pranë varreve të 376 martirëve të masakrës më të madhe në Kosovë, homazhe dhe nderime ka bërë kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, deputetë, përfaqësues të subjekteve politike, kryetar komunash, përfaqësues të institucioneve fetare dhe familjarë të martirëve të rënë.

Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se gjashtëmbëdhjetë vite me parë, në këtë vend që më pas mori emërtimin shumë domethënës “Lëndinë e pikëllimit”, ishte vend i një krimi të papërshkruar, i një shfrenimi kriminal, ku pa asnjë dallim moshe apo gjinie, u ekzekutuan 376 persona, që të gjithë shqiptarë dhe banues të këtyre anëve dhe që të gjithë civilë e të pambrojtur.

“Tmerri i asaj dite, ishte një alarmues se pushtuesi ndjente humbjen, ajo ishte e përcaktuar tashmë për ta sepse krah nesh dhe luftëtarëve të lirisë, ishte edhe bota e civilizuar dhe demokratike. Por, qëllimi i tyre ishte shkatërrimi sa më shumë në masë, të lënë gjurmë sa më të thella në kohëzgjatje, që të lënë plagë shpirtërore, plagë të parikuperueshme, që të shkaktojnë humbje fizike”, citohet të ketë thënë ndër të tjera kryetarja Kusari-Lila.

Në fjalën e tij, Isa Mustafa, ka folur për angazhimet e Qeverisë në zbardhjen e fatit të pagjeturve, si angazhim i domosdoshëm, që të përfundoj ankthi i pritjes edhe për shumë familjarë tjerë të cilën ende nuk dinë se ku prehen më të dashurit e tyre.

Kryeministri Isa Mustafa, masakrën e Mejës e ka vlerësuar si “Karvani i vdekjes”, për të shtuar më pas se kjo masakër dhe masakrat tjera që kanë ndodhur në Kosovë, ishin dëshira e pushtuesit për të na shfarosur si popull në Kosovë.

Fjalë rasti në këtë Akademi ka mbajtur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili shtoi se armiqtë vepruan për të na ndaluar të drejtën për të jetuar në trojet e tona.

“Sakrifica e madhe e popullit të Kosovës, bëri që ne sot të jetojmë të lirë, të lirë e me angazhim të ndërtojmë ardhmërinë tonë, shtetin tonë dhe te mos i harrojmë ata që më së shumti sakrifikuan për këto ditë që ne po i jetojmë”, ka thënë Haradinaj.

Në emër të familjarëve të martirëve të Masakrës së Mejës e Koronicës ka folur përfaqësuesja e shoqatës “27 Prilli” Drita Sokoli.

Ndërsa në fund në varrezat e martirëve janë vendosur kurora lule si dhe nga krijues të rinj janë recituar vargje kushtuar viktimave të masakrës së Mejes.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT