Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, përmes një postimi të bërë në FB ka thënë se në listën e prioriteteve të tij, do të ketë edhe shqiptarët e Luginës dhe Preshevës.

Ai ka thënë se si fillim do të përfshijë në listë për deputetë dy përfaqësues nga kjo pjesë.

Po ashtu thotë se PDK-ja do ta marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës.

Ky është postimi i plotë:

Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i kem lartë në listën e prioriteteve të qeverisë së udhëhequr nga PDK-ja. Dëshmi për këtë janë shtatë zotimet që kam prezantuar sot në konferencën me gazetarë.

Si fillim, PDK do t’i përfshijë në listën për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, që zëri i shqiptarëve të kësaj zone të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, PDK-ja do ta marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës. Kjo do të realizohet përmes nismës së PDK-së për ta amandamentuar Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.

PDK, si një parti e dalur nga lufta dhe me themele të forta patriotike, gjithmonë ka qenë e përkushtuar që t’ia zgjas dorën e përkrahjes vëllezerve dhe motrave tona të Luginës së Preshevës.