Në Klinë, janë shitur gjysma e shtëpive të ndërtuara për kthimin e serbëve

Me gjithë investimet e shumta të organizatave të huaja dhe të Qeverisë së Kosovës për realizmin e projekteve për serbët e kthyer në Klinë, këta të fundit i kanë boshatisur dhe shitur shtëpitë e ndërtuara.

Nga gjithsej 500 shtëpi të ndërtuara për banorët serbë në Klinë, 50% e tyre janë të boshatisura, gjë që e konfirmojnë edhe zyrtarët komunalë.

“Ajo që ka ndodhur pastaj është që serbët lokalë i kanë shitur shtëpitë dhe janë shpërngulur me familjet e tyre në Serbi”, thotë nënkryetari i Klinës, Enver Berisha.

“Pjesa dërmuese e këtyre shtëpive janë nga donacionet e huaja nga organizatat qeveritare dhe jo qeveritare ndërkombëtare si TRV-ja, DRC-ja, ICI-MICI, UNDP-ja, etj. Donacionet që janë dhënë janë jashtë kontrollit tonë si komunë. Ne nuk i kemi shifrat, por kur dihet se janë mbi 500 shtëpi të ndërtuara atëherë del një shifër serioze – del shifra mbi milionëshe. Investimet që janë bërë nga organizatat ndërkombëtare janë bërë thjesht kot, sepse ato shtëpi sot askush nuk i shfrytëzon edhe pse janë të pajisura më infrastrukturën e brendshme. Si numër total është mbi 300 banorë aktual, por rreth 50% e shtëpive që janë ndërtuar, janë të zbrazura”, ka thënë Berisha për Radio Kosovën.

Millorad Sharkoviq, shef i zyrës për kthim, fenomenin e boshatisjes se shtëpive nga banorët serbë e arsyeton më papunësinë e madhe në vend. Ai pranon se ka pasur donacione në sferën e bujqësisë që kanë shërbyer për punësim, por, sipas tij, këto donacione nuk janë të mjaftueshme.

“Fatkeqësisht, as një e treta nuk janë të banueshme. Faktori socio-ekonomik i të kthyerve dhe zhvillimi i ekonomisë është në nivel shumë të ultë. Nuk ka vende të punës, punësimi është problem sidomos për të rinjtë. Kemi pas projekte për zhvillimin e komuniteteve, makinerisë për bujqësi, nuk janë të mjaftueshme, por në krahasim më numrin e të kthyerve deri diku”, ka thënë Sharkoviq.

Zyrtarët komunalë thonë se këto investime që kapin shifra milionëshe mund të konsiderohen si projekte të dështuara, pasi 50% e shtëpive janë të boshatisura dhe numri i serbëve të kthyer është shumëfish më i vogël. (r.m.)

- Advertisement -

MË TË FUNDIT