“Në çështjen e Llapushnikut ka më shumë politikë se fe” (Video)

Ngjarjet e fundit në Llapushnik – protestat kundër ndërtimit të kishës katolike në këtë fshat dhe kontestimet që po bëhen për pronën nga banorët – ishte tema që u diskutua në Zona B, me Jusuf Thaçin, banor i Llapushnikut dhe ish drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës.

Thaçi shpërfaqi zanafillën e problemit të ndërtimit të kishës në Llapushnik, duke refuzuar që këtë problem ta quajë “konflikt”.

Ai theksoi se problemi qëndron në kërkesën e Ipeshkvisë së Kosovës, e jo tek banorët.

“Qysh në fillim është mirë të potencohet se atje nuk ka konflikt, siç po tentohet të tregohet. Ka një mospajtim për një çështje, por nuk është konflikt”.

“Ipeshkvia e Kosovës ka kërkuar një parcelë toke prej pesë hektarësh për varrezat dhe një kishë për komunitetin katolik në Llapushnik, në të cilin janë pesë familje katolike, apo rreth 30 persona”.

Ish-drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës ceku se vendi në të cilën po kërkohet të ndërtohet kjo kishë është simbol i fshatit të Llapushnikut.

“Komuna e Drenasit e ka ndarë tokën për kishën – jo pesë hektarë, por 2.5 hektarë, në një zonë shumë domethënëse dhe simbolike për fshatin, aty ku janë zhvilluar betejat më të mëdha të Grykës së Llapushnikut”.

“Ndërtimi i kishës në një pjesë ku pritet të ndërtohet një lapidar nuk besoj se i kontribuon dikujt të ndërtojë ndonjë objekt kulti. Llapushnikasit kanë thënë: në këtë zonë as kisha, as xhamia”.

Kërkesën për vendin dhe madhësinë e parcelës Thaçi e konsideroi si problemin kryesor, por sipas tij kjo çështje është lehtësisht e zgjidhshme nëse iniciatorja, Ipeshkvia e Kosovës, do ta ndërronte lokacion.

“Problemi kryesor është me madhësinë e parcelës dhe me vendin ku synohet të ndërtohet”.

“Kur Ipeshkvia e Kosovës kërkon pesë hektarë tokë për një komunitet prej 30 banorëve, kjo është një kërkesë e ekzagjeruar. Po ashtu, është kërkuar në një vend ku ata kanë ditur për simbolikën e tij, dhe kjo i ka penguat fshatarëve të Llapushnikut”.

“Zgjidhja e kësaj çështjeje është shumë e lehtë. Të vendoset parcela afër komunitetit katolik dhe të gjithë fshatarët do të ndihmojnë të ndërtohet”.

“Por, jo në vendin më historik të fshatit”.

Thaçi përfundoi se në këtë çështje ka më shumë politikë se fe dhe se fshatarët e Llapushnikut është dashur paraprakisht të konsultohen për këto veprime.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT