Të dielën e 17 nëntorit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova do ta presë ekipin e Anglisë në përballjen e saj të radhës në futboll. Sot ka filluar shitja e biletave për këtë ndeshje, mirëpo ende pa nisur shitja e tyre, faqja online e cila shërben për shitjen e biletave Tiks.app, është bllokuar, e disa qytetarë të cilët duket se kanë arritur t’i blejnë biletat kanë filluar t’i shesin ato në tregun e zi.

Interesimi i madh i qytetarëve për ta parë ndeshjen Kosovë-Angli, ka bërë që ende pa nisur shitja e biletave, faqja Tiks.app të bllokohet.

Kësisoj, ka qenë e pamundur qasja në këtë faqe për të plotësuar të dhënat e nevojshme për blerjen e biletave.

Megjithatë, disa persona duket se tashmë kanë arritur t’i sigurojnë biletat dhe kanë vendosur t’i shesin ato online në web faqen MerrJep.

Ndërkaq, disa të tjerë kanë përdorur edhe numrat e telefonëve të personave të njohur për publikun, siq është rasti i ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK’së, Agron Mustafa.

Këtë Mustafa e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Brenda 5 minutave, mbi 50 telefonata pranova ne lidhje me shitjen e disa biletave te ndeshjes Kosova me Anglinë!!! Po dua te besoj qe dikush e ka gabu nr e telefonit qe e ka vendose ne ëëë.merrjep.com e jo qëllimshëm duke e ditur qe është nr im i telefonit!!! Papërgjegjësi totale dhe e turpshme e kujtdo qe e ka bere këtë gjest”, ka shkruar Mustafa.

Ndërkaq edhe regjisori Fatos Berisha ka njoftuar se numri i tij është shpërndarë në faqen MerrJep nga qytetarët të cilët kanë bërë njoftimin për shitjen e biletave.

“Persona të papërgjegjshëm kanë publikuar numrin tim të telefonit në portalin merrejep.com gjoja se unë kam bileta për të shitur për ndeshjen Kosove-Angli. Unë nuk shes bileta. Kjo është një mashtrim dhe metodë e poshtër e intimidimit të privatësisë sime”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Kosova fillimisht do të përballet me Çekinë të enjten, ndërsa të dielën e pret ndeshja e madhe me Anglinë.

Anglezët e kishin fituar lojën e parë me rezultat 5 me 3 në shtator. Kosova është ende në garë për t’u kualifikuar në Euro2020./GazetaExpress