Nazim Bllaca po kërkohet nga Policia

Gjykata Themelore në Ferizaj ka lëshuar fletërreshtim për Nazim Bllacën, por policia nuk ka mundur ta zbulojë vendndodhjen e tij.
Nga Gjykata Themelore në Ferizaj po kërkohet nën akuzën për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

Për t’u përballur me këtë akuza, Bllaca ishte ftuar në seancë nga Gjykata në Ferizaj më 18 maj të këtij viti por nuk ishte paraqitur aty, e as nuk ishte sjellë nga policia, edhe pse gjyqtari i kishte lëshuar urdhëresë Stacionit të Policisë në Lipjan më 25 prill për sjellje të Bllacës në gjykatë.

“Sipas njoftimit zyrtar të Stacionit Policor në Lipjan-Magurë të datës 18 maj 2016, gjyqtari është njoftuar se policia duke vepruar sipas kërkesës së gjykatës nuk ka arritur të sigurojë informata rreth ndodhjes së vendbanimit të të pandehurit,” thuhet në përgjigjen që ka kthyer Gjykata Themelore në Ferizaj për KALLXO.com.

I gjendur para një situatë të tillë, sipas Gjykatës në Ferizaj, gjyqtari i këtij rasti ka lëshuar urdhëresë për lëshimin e letërrreshtimit qendror ndaj të pandehurit N.B.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Osman Havollin, avokatin që më herët kishte mbrojtur Nazim Bllacën, por ai ka thënë se nuk e mbron më dhe se nuk ka asnjë informacion për proceset gjyqësore të Bllacës, ndërkaq e ka pasur të pamundur të kontaktojë me Nazim Bllacën.

Sipas aktakuzës, Bllaca dyshohet se në vitin 2007 ka vënë në lajthitje organin kompetent për vërtetimin e kontratave në Gjykatën Komunale në Ferizaj, duke prezantuar dokumente publike të falsifikuara, më konkretisht autorizime, gjoja të vërtetuara në Gjykatën Komunale në Lipjan dhe më pas me anë të këtyre autorizimeve ka legalizuar një kontratë të shitblerjes në maj të vitit 2007.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Bllaca ka kryer veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

Nazim Bllaca i cili ka statusin e dëshmitarit të prokurorisë, është vetëshpallur agjent i ShIK-ut dhe në vitin 2009 kishte dalë në publik për të rrëfyer për shumë krime të pasluftës.

Si pasojë e dëshmive që Nazim Bllaca ka dhënë, deri më tani janë mbajtur tri gjykime penale.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT