Nait Hasani akuzon edhe Arsim Bajramin për dështimin e nxënësve në PISA

Kryetari i Komisonit Parlamentar për Arsim, Nait Hasani, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ekspertët e arsimit dhe ministrat, të gjithë, përfshirë edhe Arsim Bajramin, janë përgjegjës për dështimin e nxënësve kosovarë në PISA.

“Ministri Arsim Bajrami ka thënë se rezultatin e punës së tij do ta shohim në vitin 2018. Por ai nuk do të jetë ministër atëherë. Dhe tjetri do t’ia hedhë fajin atij. Ndaj unë e mbaj përgjegjës edhe ministrin Bajrami për këtë rezultat. Por jo vetëm atë. Përgjegjëse është e gjithë shoqëria. Kërkoj që ministri, nëse ka pak ndërgjegje, të reflektojë me angazhimin e tij; të tregojë përgjegjësi morale. Ky rezultat nëse do të ndodhte në ndonjë vend tjetër, ministria do të bllokohej nga qytetarët. Miliona euro janë harxhuar për trajnime, por kemi po të njëjtën gjendje. Dukagjin Pupovci bashkë me Arsim Bajramin janë përgjegjësit kryesorë për këtë rezultat, për mosngritjen e cilësisë në arsim”.

“Fajtore janë edhe shtëpitë botuese, Dukagjini dhe Libri Shkollor. Nëse cdo vit janë dhënë miliona në botimin e librave, dihet kah janë orientuar përqindjet e caktuara”.
Ai ka deklaruar se e ka pritur këtë rezultat, duke ditur nivelin e arsimit në vend, njofton Klan Kosova.

“Është rezultat të cilin si të tillë e kam ditur tash e dy javë, por kemi pritur ta paraqesë ministria. Ai tregon cfarë sistemi arsimor kemi ne. Tani kemi mundësi të diskutojmë dhe ta analizojmë mirë gjendjen. Ngritja e cilësisë në arsim është kërkuar tash e disa vjet. Ky rezultat shpërfaq qartë realitetin e nivelit të arsimit që kemi në vend. Flet për sot, për dje dhe për nesër”.

Hasani ka theksuar se është lajm i keq që edhe ligjet që rregullojnë sistemin arsimor nuk po kalojnë në Kuvendin e Kosovës.

“Neve na mungon edhe Ligji i Arsimit. Komisioni Parlamentar e ka miratuar atë, por ai nuk ka kaluar më tutje. As atë, as Ligjin për Inspektoratin, nuk i kanë pranuar universitetet”.
“Ne kemi kërkuar të dimë edhe për diplomat e Universitetit të Pejës. Kemi dashur të dimë më shumë për këtë cështje. Por nuk kemi arritur të marrim informatat që kemi kërkuar”.

Klan Kosova