Myfti Vehbi Dibra, misionar i fesë dhe i patriotizmit

Opinion nga Eugen Shehu  / 

Lindi në Dibër të madhe me 1867 . i jati Ahmeti , kishte qenë disa vjet Myfit i Dibrës. Fjala e tij dëgjohej jo vetëm në xhami por edhe më tej,në odat e mëdha të shtëpive dibrane,në kuvendet e pleqërisë që shërbenin si rregullator modern e të përpiktë të kodit zakonor.Fjala e Ahmetit ishte po aq sa e mençur dhe e thellë,po aq dhe e butë.kjo fjalë do të zinte vend sidomos në shpirtin e ndjeshëm të Vehbiut i cili sa mbaronte mësimet vraponte në dhomën e të jatit dhe me dëshirën e madhe fëminore për dijeni e mbulonte ate me pyetje. Ka qenë pikërisht kjo etje e madhe e Vehbiut për dije,ky interesim për të kaluarën e Dibrës që e bënë ate të lexonte pa masë duke u rradhitur ndër nxënësit më të mirë të shkollës.Është kjo arsyeja që i jati,duke mbajtur një qëndrim prej pedagogu e psikollogu gjatë krejt viteve të shkollës në Dibër, e nxit të birin të vazhdojë studimet në Stamboll.

  Stambolli,ky metropoll i qytetërimeve në fundshekullin e kaluar,i shërbeu Vehbiut së pari për t’u njohur me disa gjuhë të huaja. Persishtja dhe arabishtja,ishin dy gjuhët që duke i përvetsuar shkëlqyeshëm,do t’i çelnin Vehbiut dritare për të hyrë në traditat e pasura letrare dhe kulturore të qytetërimit të lashtë.Ndërkaq  studimet teologjike do t’i shfrytzonte për të njohur jo vetëm filozofinë e moralit Islam por edhe të shpjegonte mjaft elemente të kodeve zakonore të popullit dibran. Edhe në Stamboll,nxënësi Vehbi Agolli,do të arrinte rezulltate të shkëlqyera.Gjithsesi kryeqyteti i zhurmshëm i Perandorisë Osmane,nuk do t’i zbehte aspak bukurinë e maleve të Deshatit dhe Velivarit,të cilat në përfytyrimin e Vehbiut do të ishin kurdoherë të bukur,të lartë,gati përallorë ashtu siç i kish bredhur në fëmijërinë e vet.

  Kthimin në vendlindje,ja urojnë plot miq e shokë të Vehbiut.Por gëzimin më të madh do ta ndjeje i jati i cili duke parë butësinë dhe dashurinë karakteristike të Vehbiut për Dibrën dhe njerëzit e varfër të saj,do të besojë në të ardhmen e sinqertë të birit të vet ndaj vendlindjes dhe njerëzve të saj.ky sinqeritet,kjo zemërgjërsi natyrisht se framëzoheshin prej familjes dhe moralit fetar por askurrë nuk u idealizuan prej Vehbi Dibrës.ai do të ishte tepër realisht dhe do t’u fliste dibranëve kurdoherë me zemrën në dorë. Akoma nuk ka mbushur të tridhjetat kur ftohet të bashkëpunojë me burra e trima të regjur luftërave,për të krijuar „Lidhjen e Dibrës“.Është viti 1896.Duke ndjerë së mbrendshmi,nevojën e një lidhjeje të qendrueshme dhe organike të krejt Dibrës përballë zgjimit të mërive të vjetra ballkanike,Vehbi Dibra jo vetëm mbështeti pa rezerva këtë bashkim të natyrshëm të bashkëqytetarëve të vet por edhe zgjoi me ta,një dimension real të përpjekjeve që duheshin bërë.Duke qenë një misionar i fesë,edhe pse i ri në moshë,Vehbi Dibra e kish kuptuar se Shqipërinë do të mund ta mbronte vetëm ajo ndjenjë e madhe,ajo aspiratë shekullore e shqiptarëve për lirinë e trojeve të veta.Prandaj edhe fjala e tij në „Lidhjen e Dibrës“ të vitit 1896 do të mbyllej :

„ Nderen e Shqipnis,nuk duhet me e kerkue vetëm ne xhami,me lutje,pse ate po duhen me na e grabitë.Nderen e Dibres dhe krejt trojeve tanë,duhet me e mprojtur me sakrificat tona“.

Vitet që rrodhën më pas, e përfshin Vehbi Dibrën në vorbullën e ngjarjeve kulmore të shqipërisë. Në këto ngjarje ai nuk do të ishte thjeshtë një pjesmarës por do të rezononte krejt dashurinë e dijet në dobi të ardhmërisë së kombit të vet.Elez Isufi dhe Luigj Gurakuqi,Mid’hat Frashëri e Dervish Hima,Josf Bageri e Seid Najdeni,do të hynin tani në jetën e Vehbi Dibrës duke rreshtuar ate në radhët e para të burrave që parashihnin furtunat e kombit në këtë fillimshekull.

  Sidoqoftë personaliteti atdhetar e politik i Vehbi Dibrës,do të shëndriste në ngjarjet e Dibrës në vitin 1909. Dihet tashmë se turqit e rinj ndoqën që në fillim të tyre një politikë të thekshme antishqiptare.Ndonjë propagandë krejt butaforeske për gjoja „vëllezërit“,nuk mund të fshihte atë shkallëzim të marshimeve osmane kundër zgjimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.Për më tej,ndjekja dhe persekucioni i turqve të rinj ndaj figurave të ndritura të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,linte të kuptohej se këta kurrë nuk do pajtoheshin me shpirtin kryengritës të popullit tonë.

Fuqitë e Mëdha Evropiane,tashmë po përpiqeshin për zonat e tyre të influencës në Ballkanin e trazuar.Kërcënimi i tyre për një coptim të krejt trojeve shqiptare (përfshi këtu edhe Maqedonin Shqiptare) ishte pothuaj në prag.Përpara kësaj situate,turqve të rinj iu duhej një „vllezëri“ me shqiptarët për t’i treguar Evropës se ky popull i vogël nuk mund të jetonte dot pa Turqinë e madhe. Ka qenë ky shkaku që në verën e vitit 1909,këta organizuan në Dibër një kongres ku do të demonstronin lidhjen „e përjetshme“ shqiptaro-turke,anipse politika e tyre ecte përmes rrjedhave antikombëtare të vendit të arbërit. E vërteta është se turqit  e rinj,u treguan mjaft entuziast në pregaditjen e Kongresit në Dibër.Ata u përpoqën që pjesmarrësit e këtij tubimi jo vetëm të kishin prirje drejt gjysëmhënës por edhe ti manifestonin këto prirje në tribunën e Kongresit. Ndërkaq,atdhetarët dibran,duke e kuptuar rëndësinë e madhe të këtij kongresi e veçmas mesazhet që ai do përcillte për autonominë e Shqipërisë,vunë të gjitha forcat,shfrytëzuan të gjitha rrugët e mundësitë për t’i kthyer punimet e këtij kuvendi në tribun të mendimit të lirë për çështjen kombëtare shqiptare. Në bashkëpunim edhe me atdhetarët e tjerë dibran,Vehbi Dibra organizon punën në mënyrë të tillë që ky  tubim të jetë dëshmitar jo vetëm për dështimin e farsës së turqve të rinj por njëherazi për shpalosjen e mendimeve të vyera atdhetare.Për këtë personalitet fetar e atdhetar,feja duhet vënë kurdoherë në shërbim të lirive individuale njerzore dhe asaj fryme të lartë dashurie për atdheun.Disa ditë përpara se të mblidhej kuvendi në Dibër,Imam Vehbiu do të ftonte atdhetar nga krejt krahinat,duke u shkruar atyre me zemër në dorë ;

„Jeni te lutur të vini në Dibër ku do të mblidhen delegatët të zgjedhur nga populli mysliman dhe jo mysliman per me marr pjes ne vendimet e rendësishme qe do merren… Ata qe e shofin me syrin grabites kete vend të madherrueshëm,një pellembë të tokes se ketij vendi,le te mendohen se ky vend,i ndritur per me shenterue nje pëllembe te tokes,do të tregoje nji atdhetari pa shoqe ne histori te lame me gjak“.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi 143 , Dosja 920 , 18 qershor 1909).

  Dibranët,të dalluar herët në ndjenjat e tyre të bujarisë,edhe pse situata në vend ishte tepër e tensionuar i bënë një pritje të veçantë,mbi 300 delegatëve të ardhur prej krejt trojeve etnike të Shqipërisë.natyrisht,në tubim erdhën edhe personalitete të larta të Perandorisë Osmane të cilët kërkonin të manipulonin qëllimin  e vërtet të këtij kuvendi.Gjithsesi populli i Dibrës,përpos bujarisë,manifestoi edhe zgjursinë e vet karakteristike,atë zgjuarsi natyrore gati të ngjizur në sistemin e krejt vijueshmërisë së jetës.Ndër rradhët e para të atyre që pritën pjesmarësit e Kongresit ishin dhjetra djem të vegjël,të cilët ishin veshur me kostumet e bukura të krahinës dhe në  duar mbanin armë të qendisura e të punuara prej mjeshtrive tonë popullorë.Domethënia ishte e madhe.E ardhmja e Shqipërisë do të ishte indipendenca e saj.Kjo gjeneratë po rritej me frymën e lartë të besimit se liria do të vinte prej grykës së pushkëve duke u kujtuar turqve të rinj,historinë e tyre .Duhet thënë se,që në ditën e parë të Kongresit të Dibrës,shpresat e Turqve të Rinj u shuan.kjo sepse,kryetari i këtij Kongresi Ismail Beu,vdiq pa pritur në mënyrë natyrale.Turqit e rinj kishin varur mjaft shpresa tek Ismail Beu pasi, gjatë shumë kohe,ky kish zbatuar në mënyrë të verbër porosit e ardhura prej Stambollit në Dibër. Ditët dhe netët që rrodhën më pas,dëshmuan përpjekje të të dy palëve për të marë në duar frenat e kuvendit.por nëse daulleve të avazit të turqve të rinj,u binin disa shqiptarë që kishin marrë rushfete e grada prej Stambollit,pjesa më e madhe e tyre propaganduan me zjarr vazhdimin e punimeve të këtij  kuvendi duke paraparë në punimet dhe objeksionet e tij një vlerë të madhe të çështjes sonë kombëtare.Kësisoj për të ardhur deri në fund të korrikut. „ Me 25 korrik,diten e djel paradreke,Kongresi u mblodh në shtepinë e Fejzullah Hatibit,njeriut nga paria e Dibrës.Punimet filluan me zgjedhjen e kryesisë.Kryetar u zgjodh Myftiu i Dibrës.Punimet filluan me zgjedhjen e kryesisë.Kryetar u zgjodh Myftiu i Dibrës Vehbi Agolli (Dibra),sekretar Halit Gjirokastriti dhe Ihsan Selaniku.Zgjedhja u ba me votim.Qe të tre morën shumicën e votave të delegatëve.Propozimi qe u ba për te zgjedhur edhe nje kryetar te dytë u hodh poshtë…“.( arkivi i Institutit të Historisë.Dosja A.IV.102.fl.9-10.Kenan Manastirli,Kongresi i Dibrës,Stamboll 1912 ).

  Duke përsëritur mbi një tog dokumentash të ditëve kur u zhvillua Kongresi i dibrës,të bie në sy,përpjekjet e ashpra të atdhetarëve tanë të cilët megjithëse nën një presion të dukshëm ushtarak turk nuk e pranuan emertimin e Kongresit sipas turqve të rinj : „Kongresi i Shqiptarëve  Osmanlinj i Bashkimit e i Konstitucionalizimit i Dibrës“.

  Kenan manastirliu,Abdyl Ypi,Hafëz Ali Korça e Dervish Hima ishin të parët atdhetarë që e ngritën zërin fort për këtë problem duke propaganduar se shqiptarët janë racë krejt e pastërt në trojet e tyre.Ata s’i ka lidhur në gjak dot askush edhe pse kanë vuajtur në shekuj të tërë robërie.Ka qenë pikërisht kjo vendosmëri e tyre si edhe shpresa që u jepte populli dibran,të cilat mundësuan emërimin e këtij tubimi : Kongresi Shqiptar i Dibrës.

Më tej,me ndihmën e zgjuar të Vehbi Dibrës, u vendos për problemin e gjuhës shqipe që ajo të futej në shkolla duke vënë kësisoj fre spekullimeve absurde të turqve të rinj të cilët medoemos donin të mbyllnin dyert e zgjimit kombëtar shqiptar.Aprovimi në këtë kuvend i përdorimit të alfabetit latin në gjuhën shqipe çonte akoma më përpara,vendosmërisht përpjekjet e bëra nga atdhetarë të tjerë,një vit më parë në Kongresin e Manastirit. Vehbi Dibra diti të drejtojë me zotësi punimet e Kongresit të Dibrës,veçanërisht në vizionin e përpjekjeve autonomiste të  patriotëve tanë. Kundërshtarët e rreptë të kësaj autonomie,ky i dëgjonte me cilësinë e kryetarit e fill pas tyre duke sjellë argumente të  plota historike,shpaloste përpara kuvendit alternativat e domosdoshme të kësaj autonomie.I palëkundur në qëndrimin e tij për autonomin e Shqipërisë,Vehbi Dibra u bëri ballë presioneve nga ma të ndryshme të turqve të rinj të cilët në këtë kongres bënin pjesë me qëllim kompromitimi të kongresit.

  Menjëherë pasi mbaruan punimet e kongresit të Dibrës,atdhetari i shquar Vehbi Dibra, e kuptoi se ishin çelur disa shtigje nëpër të cilat vlente të ecej edhe me zgjuarsi por sidomos me guxim.ai vëhet në krye të detyrave për organizimin e komiteteve të fshehta,në krye të cilëve u vendosën në pjesën më të madhe,atdhetarë të klubit „Bashkimi“.Në fund të vitit 1911 dhe fillim të vitit 1912,burrat e Dibrës kishin kryer disa  luftime të sukseshme kundër taborreve turq duke i detyruar këta të linin rrethinat e të vendoseshin nëpër  garnizonet e mëdha të qyteteve.Kështu në majin e vitit 1912 shtatqind dibranë të udhëhequr nga „gjenerali me shajak“ Elez Isufi,filluan luftën e paprerë në Reç e Dardhë duke i detyruar taborret turke të hyjnë në rrethim prej nga shum pak munden të dilnin. Luftimet në Reç e Dardhë,shërbyen si prolog i asaj lëvizje gjithkombëtare që do të shpërthente jo vetëm në Dibër por krejt Kosovën  martire.Vehbi Dibra,së bashku me burra të tjerë trima,jo vetëm organizuan një lëvizje të armatosur në Dibër të Epërme por u hodhën në luftime konkrete me çetat e patriotëve të Dibrës së Poshtme.Ka qenë 22 gushti i viti 1912,kur konsulli Austriak në Manastir, lajmëronte Vjenën se :

Qysh në fillim të javës së kaluar,në malësinë e Dibrës po bëhen përsëri grumbullime të madhaja,të cilat duket se po i shqetsojnë shumë autoritetet e këtushme.Malsorët kanë sulmuar gjashtë karakolle të xhandarmërisë,çarmatosën repartet e tyre dhe i zhbuan xhandarët e të dhjetë karakolleve të tjera.autoriteti lokal nuk është i qartë mbi qëllimet e malësorëve të Dibrës.Ata kanë frikë se arnautët kanë në plan të hyjnë vetë në Dibër,me qëllim që të bëjnë një presion mbi qeverinë,në favor të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës.

 ( Arkivi  i  Institutit  të  Historisë , materiale të  Arkivit  të  Vjenës. Dosja 22 – 52 ) .

Firmëtar i Pavarsisë së Shqipërisë

  Vlora e vitit 1912,padyshim është një kapitull i ndritur në veprimtarinë atdhetare të Vehbi Dibrës.Zgjedhja e tij në krye të delegatëve të Dibrës do të ishte tepër domethënëse.populli i zgjuar dibran dinte ke të zgjidhte për përfaqsimin e aspiratave dhe shpresave të veta.Ai shihte në personalitetin e Vehbiut gjykimin e thellë prej atdhetari,të mpleksur me intuitën e një organizatori të përsosur,që askurrë nuk ka gabuar. Në nëntorin e vitit 1912,Vlora i pret me dashuri e bujari burrat e Dibrës.Sytë e Vlonjatëve dhe krejt shqiptarëve ishin prej kohësh në grykat e Dibrës.Ura e Spiles,Ura e Topojanit,Sllova dhe Gjorica,ende jetonin mes flakëve të luftërave ndërkohë që Elez Isufi me trimat e tij kishte zënë pozicione në Kolesjan.Ndërsa Llan Kaloshi e Selman Alija,në rrethinat e Shkodrës, i kishin kthyer gjokset e tyre në kala kundër invazionit serbo-malazes për marrjen e qytetit shqiptar.Andaj interesimi i Vlonjatëve bashkohej me ate të plakut Ismail Qemali i cili pyeste : „A erdhën delegatët e Dibrës ? Kur do të Dalin ?“.

  Ngritja e Flamurit në Vlorë,ishte akti madhor ku bashkoheshin në një të vetmen edhe aspirata shekullore e shqiptarëve për autonomin edhe përpjekjet e pafund për krijimin e një shteti ligjor duke shmangur keqinterpretimet e fuqive të mëdha Evropiane për gjoja paaftësinë e shqiptarëve për t’u vetqeverisur. Në datën 4 dhjetor 1912,pjesmarrësit e Kuvendit të Vlorës,bënë zgjedhjet për antarët e Qeverisë së Përkohshme dhe të Pleqësisë,(apo senatit,siç u quajt ndryshe,duke marrë për model qeverisjen në disa shtete perëndimore). Në përfundim të këtyre zgjedhjeve,Pleqësia u formua nga :

„ Imam Vehbi Dibra,Idriz Bej Vrioni,Sami bej Vrioni,Duk Karbunara,Mustafa Has Kruja,Musa bej Toptani ,Eqrem bej Vlora,Kristo Meksi,Dhimitër Zografi,Bedri bej Ypeku,Sali Gjuka,Veli bej Këlcyra,Hajredin bej Cakrani,Xhelal bej Skrapari,Shefqet Daiu,Dervish bej Elbasani,Ajdin bej Draga“.(A.Q.i SH.Qeveria Provizore e Vlorës,Doku.nr 6,proces verbali,me 4.12.1912).

  Meqenëse Vehbi Dibra fitoi numërin më të madh të votave ai njëherazi u zgjodh në cilësinë e kryetarit të Pleqësisë.Edhe pse pleqësia e zgjedhur kishte më tepër rolin e një organi kontrollues e këshillues ndaj Qeverisë së Përkohshme,Vehbi Dibra u përpoq të organizonte e drejtonte me kompetencë ato veprimtari të cilat Qeveria ishte e pamundur t’i kryente.Nga procesverbalet e disa mbledhjeve të atyre ditëve,shihet qartë se ndërsa plaku Ismail Qemali,merrej me organizimin e Qeverisë së Përkohshme,me një mijë e një vështirsi të atyre ditëve,ishte pikërisht Vehbi Dibra i cili ka drejtuar mjaft takime të atyre ditëve epokale. Por edhe në ditët më pas,eksperienca,urtësia dhe fjala e  mençur e trimit të Dibrës,qëndruan në krah të plakut të Vlorës duke ndihmuar drejtëpërsëdrejti në rrjedhat e ngjarjeve të vitit 1913 – 1914. Dihet se të parët që iu kundërvunë autonomisë së Shqipërisë ishin armiqtë tanë shekullorë,sërbët.Ata bënë ç’mundën që në Vlorë të mos valonte Flamuri shqiptar.Mandej,kur e panë se s’mundën,iu vërsulën kufijve të cunguar të dheut të arbërve.Për vetë gjeografinë e saj,Dibra do të përbënte karakollet e para të mbrojtjes Shqiptare.Këtu,pikërisht në këto momente,spikat edhe një herë vendosmëria e guximi i Vehbi Dibrës.Edhe me cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë të dalë prej Kuvendit të Vlorës,por sidomos duke shfrytëzuar respektin që gëzonte në krejt Dibrën si misionar i fesë dhe i patriotizmit,ai nuk rreshti nga përpjekjet për të ngritur pushtetin lokal në krejt veriun,duke filluar prej fshatrave të Matit e deri në kufijtë e Kosovës.Këtë pushtet ai kërkoi dhe orientoi kurdoherë nën dritën e vendimeve të Qeverisë së Perkohshme duke respektuar kësisoj të drejtat legjitime të shtetit të parë Shqiptar.Në bashkëpunim të ngushtë me atdhetarët e tjerë : Luigj Gurakuqin,Mehmet Pashë Derallën dhe Veçmas Aqif Pashë Elbasanin,Efendiu i Dibrës (Kështu e thirnin shpesh Vehbiun) bëri ç’ka mundi që të sigurohej rendi,të vendosej qetësia,të çeleshin menjëherë shkolla në gjuhën shqipe,të rilindëte jeta në Dibrën e tij të dashur.Ndërkohë,veprimtarinë e shumanshme të Vehbi Dibrës,për vendosjen dhe funksionimin sa më normal të pushtetit në Dibër, e ndërpresin detyrat me rëndësi kombëtare që ai duhet ta ndjekë në Qeverinë e Përkohshme.Duke njohur për vetitë e larta të karakterit,për atdhetariznmin e pakursyer,Ismail Qemali,nuk nguron të ndajë peshën e halleve të mëdha me Vehbi Dibrën.ai e thëret,këshillohet me te,mandej nuk nguron ta lërë në krye të qeverisjes.Kështu,disa ditë përpara se plaku i Vlorës do largohej për në kryeqytetet e Evropës,në pranverën e vitit 1913,ai  u drejtohet prefekturave me këtë telegram :

Për arsye se disa çështje të Atdheut,kanë mbetur varur,më duhet të vete përkohësisht në Evropë,të mbaj të drejtat tona kombëtare… Qeverisja e vendit i mbetet Këshillit Ministror dhe Kryesia e Këshillit Kombëtar, Hirësisë së tij Vehbi Efendiut.Ju porosis t’i zbatoni mirë urdhërat e Këshillit….“( A.Q.SH,fondi 71,Dosja 2,Dokumenti 115, 30 mars 1913 ).

Kryetar i Kongresit Myslim Shqiptar

  Por fati i qeverisë së Vlorës,do të  ndëshkohej në Londrën e vitit 1913.Madje jo vetëm fati i një qeverije por i një kombi të tërë i cili ende pa dalë krejt,prej natës osmane,duhej të ndahej në copa sipes orekseve të fqinjëve.Përkundër këtij fati,shqiptarët do të rrëmbenin armët duke besuar më tepër tek grykat e tyre se sa në kancelaritë Evropiane të mbushura me një cinizëm klasik antishqiptar

kryengrita e Dibrës, e shtatorit të vitit 1913, e dëshmoi më së miri këtë.Ndërkohë që trupat serbe afroheshin në Dibër për të marë tokat e „dhuruara“ prej Londrës,trimat e Isa Boletinit dhe Elez Isufit

Hasan Prishtinës e Hoxhë Kadrisë,Fuad Dibrës e Sufë Xhelilit,ideuan një varg sulmesh nën moton „çdo pëllamb  toke asht e jona,vdekja na ndan prej saj“. Edhe pse në ato kohë,Vehbi Dibra ndodhej në Vlorë,ai ndiqte me vëmendje situatën në veriun e Shqipërisë.Mbante lidhje të rregullta,ilegale me patriotët dibranë i udhëzonte ata madje në fshehtësi ka siguruar një sasi pushkësh dhe ndihmë me të holla për luftëtarët e atyre anëve.Bashkimi i krejt trojeve të pushtuara,me shtetin amë do të ishte nxitja e madhe e Vehbiut për gjithë miqtë e tij të Pleqësisë.Madje fjalën e Efendiut të Dibrës do ta dëgjonin e respektonin njëlloj si atdhetarët mysliman,ashtu edhe katolikët e ortodoksit.

  Rjedhat e kryengritjes së Dibrës,në shtatorin e vitit 1913,do t’u ngjanin atyre rrjedhave të fuqishme të lumenjvë të mbarsur prej burërave të maleve.Por njëqind herë më shumë se borërat,ishin masakrat serbe,ato që mbushnin vrullshëm shtratin e urrejtjes popullore dibrane. E komanduar prej strategëve ushtarak (me akademi „të maruar“ në fushëbetejat e viteve) kjo kryengritje do të largonte brenda  dy -tri javëve krejt ushtritë serbe,nga tokat shqiptare.Madje vetë gjeneralët serb,të çuditur, të tmerruar,do të shkruanin më pas :

Filloi lufta për jetë a vdekje.Shqiptarët na sulmojnë,na turren drejt mitrolezeve tanë,të cilët shkrepin fishekët e fundit.Me ate rast u vranë 14 oficerë,në krye me komandantin e gardës mbretërore,kapedanin Misha Anastasijeviç dhe rreth 300 nënoficerë dhe ushtarë.Të vdekurit e të lagosurit,me keqardhjen më të madhe,nuk mundem t’i grupojmë as të shpëtojmë të plagosurit… Mezi prisnim që të zbardhe drita e të largohemi nga Dibra…“ Kujtime të Borivoje Joniç në Sërbischer National Kulture in der Schvic“ 10 qershor 1976,nr.76.).

  Ajo çka vlen të nënvizohet për kryengritjen e Dibrës në vjeshtën e vitit 1913,ishte fakti se brenda pak kohe,kjo lëvizje për trojet etnike,mori një shtrirje të gjërë.Fitoret e arritura në Dibër e Kosovë, mobilizuan çetat e komiteteve të Strugës,Ohrit dhe Pogradecit,të cilat rrëmbyen armët duke flakur tej zgjedhen serbe.Edhe këtu roli i Vehbi Dibrës është i dukshëm.Jo vetëm këto treva por deri në Strugë,Manastir,Tetovë,Shkup e Kumanovë,u ndje kujdesi i vazhdueshëm i Efendiut të Dibrës i cili,me gjithë sabotimet e Esat Pashë Toptanit (asi kohe ministër i mbrendshëm), dërgonte udhëzime e ndihma konkrete për këto troje.Gjatë viteve të luftës së parë botrore 1914-1918,qëndrimi i Efendiut të Dibrës do të mbetej kurdoherë konseguent në mbrojtje të lirisë dhe pavarsisë së krejt tokave shqiptare.Vlen të theksohet se në disa tubime kryesore të popullit shqiptar në këtë periudhë,Vehbi Dibra foli kurdoherë për Kosovë e Camëri që ata të mos ishin thjesht indipendente por edhe ti bashkoheshin trungut të shtetit amë. Mbajtja e një korespondence të vazhdueshme me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe veçmas me kryetarin e saj Hoxhë Kadriun,do të ishin një dimension tjetër i veprës madhore të Vehbi Dibrës.Ai jo vetëm interesohet për ecurinë dhe  organizimin e këtij komiteti në mbarë trojet lindore,por duke shfrytëzuar personalitetin e tij si klerik ndërhyn në kohë për mosmarveshje të ndryshme me gjirin e krerëve të  këtij komiteti.

  Paralelisht me angazhimin tërësorë të Efendiut të Dibrës mbi problemet kardinale të shteti shqiptar,do të shfaqej në këto vite edhe kujdesi i vazhdueshëm për vendosjen mbi themlet kombëtare të fesë myslimane në shqipëri.ai me horizontin e kulturën e gjërë fetare,është ideatori dhe organizatori i institucionalizimit të bashkësisë islame në vendin tonë duke e shkëputur ate përfundimisht  prej Kalifatit Sulltanor.Për të reformuar organizimin e fesë islame,për nxjerrjen në dritë të institucioneve të saj,Vehbi Dibra urdhëronte që në krejt sistemin e hierarkisë së klerit mysliman të përdorej gjuha shqipe : „ Ndër të gjitha zyrat e sheriatit,do të përdoret gjuha kombëtare,si me korrespondencë zyrtare,ashtu edhe ndër akte e rregjistra të tjera jashtë gjyqeve…“

(Urdhëri i Kryemyftiut të Përgjithshëm Vehbi Dibra,A.Q.SH. Fondi 882,Dosja nr.9 faqe 1).

  Më pas ,do të ishte pikërisht Kongresi i Parë Mysliman,ai që kurorizoi përpjekjet e palodhura të Vehbi Dibrës dhe klerikëve të tjerë,për shkëputjen përfundimtare,zyrtare prej Sheh – ul – Islamit i Konstandinopojës.Ky kongres u mblodh në Tiranë me 24 shkurt 1923 me përfaqsues të popullit të krejt prefekturave shqiptare. Fjala e zjarrtë e Efendi Vehbi Dibrës,jo vetëm orientoi kongresin por rezonimi i saj në kohë ishte tepër i madh.Edhe këtu,atdheu e familja do të viheshin në rend të parë duke iu kujtuar të gjithëve për bashkëjetesën e madhe të idealeve fetare me ato atdhetare. Kësisoj,në luftë e përpjekje do të shkonte jeta e Vehbi Dibrës deri në marsin e vitit 1937 kur zemra i pushoi së rrahuri.Në varrin e tij,Kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare,Visarion Xhuvani do të deklaronte :

„Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbesi i paharuar në historinë e zhvillimit të Shqipërisë së re.Ai ashtë i pari kryetar i fesë Muhamedane në Shqipëri i cili,tue qenë prej origjine të Shqipërisë s’Epërme,respektohesh dhe simpatizohesh qe në kohnat kur nuk ishte brumzue mirë si sod bashkimi i plotë kombëtar,respektohesh dhe simpatizohesh si prej shqiptarëve t’Jugut ma te largët te Shqipnisë,ashtu edhe prej atyre te Veriut ma t’Epërm,si të krishterë dhe muhamedanë…“

(Revista „Zani i Naltë“ 1937, faqe 108).

  Duke hedhur dritë mbi veprën e Imam Vehbi Dibrës,ndjejmë historinë të na trokase,ndjejmë thirjet e largëta në kujtesën e kombit në ditët e sodit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT