Mustafa uron 8 marsin nga facebook-u

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zgjedh që mëngjesin e sotëm ta filloj me një urim për të gjitha grat për festën e 8 marsit. Ja urimi i kryeministrit:
    Historia e Ditës së Gruas nuk njeh vetëm kërkesat e grave për të drejtat e tyre; të votës, qeverisjes, punës, arsimimit, për ndalimin e diskriminimit por edhe për kundërshtimin e tyre ndaj dhunës, luftës, urisë…
    Këso ishin edhe gratë kosovare të fundshekullit të njëzetë. U gjetën në radhët e para të protestave kundër dhunës e terrorit. U përplasën me makinerinë ushtarake e policore për të ruajtur dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur familjen dhe për ta fituar lirinë e vendit të tyre. Ishin luftëtare, heroina, dëshmore të kombit.
    Të tilla janë edhe sot. Në institucionet më të larta të vendit, bartëse të arsimit e edukimit, mjeke e afariste, police e pjesëtare të FSK-së, kultivuese të familjes e edukatore të fëmijëve. Meritojnë edhe më shumë. Kujdesin më të madh të shoqërisë.
    Shoqëritë e emancipuara cilësohen me pozitën sociale të gruas, me përfshirje të madhe të grave në të gjitha aktivitetet ekonomike e sociale. Vlerat e një shoqërie nuk maten me numra të veçuar, ato pasqyrohen përmes harmonisë. Do të punojmë së bashku të ndërtojmë vlerat tona.
    Zonja të nderuara, Ju uroj 8 Marsin!