Mustafa uron 1 shtatorin, prioritet do jetë arsimi

 

  

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës me rastin e 1 shtatorit, fillimit të vitit të ri shkollor.

“Nesër, më 1 shtator 2015, fillon viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, andaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal ju uroj suksese gjatë këtij viti shkollor,” thuhet në urimin e Mustafës.

I pari i qeverisë para fillimit të vitit shkollor nuk ka harruar për ta përmendur arsimin  si prioritetin e qeverisë që ai e drejton, dhe përkrahjen për reformimin e vazhdueshëm të sistemit arsimor.

“Me këtë rast, më lejoni që të shpreh mbështetjen dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ju, nxënës dhe mësimdhënës të dashur, dhe të theksoj faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka prioritet shumë të rëndësishëm përkrahjen, reformimin dhe avancimin e vazhdueshëm të sistemit edukativ dhe arsimor në Kosovës” ka shtuar Mustafa,transmeton Klan Kosova.

Më tej, kryeministri i vendit ka shprehur konsideratat më të larta për mësimdhënësit e Kosovës për gjithë çfarë kanë bërë gjatë 20 vjetëve të fundit.

“Po ashtu, më lejoni që të shpreh respektin dhe konsideratat më të larta për mësimdhënësit e Kosovës, njerëzit që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre kanë pasur rol vendimtar për të gjitha të arriturat që Kosova ka bërë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit.”

“Duke shprehur respektin dhe përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit e Kosovës, ju uroj nga zemra gjithë të mirat dhe suksese në këtë vit shkollor,” ka përfunduar kryeministri Mustafa.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT