Mustafa për balotazhin: U vërtetuan mashtrimet e VV-së, ‘Guxo’ mbeti askund

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa për Gazetën Express tha se zgjedhjet lokale dëshmuan se mashtrimet e VV-së dolën në shesh. Ai poashtu tha se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani u treguan arrogantë ndaj opozitës e ndërkombëtarëve. Ish-kryeministri Mustafa tutje u shpreh se është fat që Kurti e Osmani s’kanë fuqi sepse do ta shtyenin drejt luftës Kosovën.

“Këto zgjedhje u zhvilluan në një ambient shumë më normal krahasuar me ato nacionale të 14 shkurtit në të cilat u promovua një histeri që ngjante me ato fashiste. Jo vetëm nga VV dhe paterica e saj Guxo por edhe nga disa media. Zgjedhjet lokale dëshmuan se ky ballon po shfryhet, mashtrimet po dalin në shesh dhe qytetarët po dëshmohen se janë vlerësues racional në afat të gjatë. Për fat të keq kam vërejtur se çdo gjë që e kanë kritikuar z. Kurti dhe znj. Osmani në të kaluarën e kanë bërë vet gjatë kësaj kohe, pa asnjë konsideratë. Ajo që veçmas i veçon është një arrogancë jo vetëm ndaj opozitës dhe votuesëve të tyre por edhe ndaj ndërkombëtarëve. Fati që s’kanë shumë fuqi se edhe në luftë do na shtynin”, tha Mustafa.