Mustafa nis konsultat plotësuese për demarkacionin

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë të enjten t’i ketë nisur konsultat plotësuese në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe i ka porositur të gjithë vartësit e tij që të mbledhin më shumë informacione përkitazi me pjesën e territorit që Kosova e ka administruar në kufirin me fqinjin perëndimor.

Ai ka thënë se riprocedimin e Marrëveshjes nuk do ta bëjë pa i hequr të gjitha dilemat, shkruan sot Koha Ditore.

“Ajo që tani konsideroj që duhet ta bëjmë si Qeveri, dhe unë si kryeministër kam filluar ta bëj, është që të zhvillojmë konsulta plotësuese dhe takime me të gjithë aktorët që kanë të bëjnë me këtë fushë. Dje kam thirrur katër kryetarët e komunave që kufizohen me Malin e Zi, të Deçanit, Junikut, Pejës dhe Istogut dhe kam kërkuar nga ta që të na informojnë neve si Qeveri, nëse ndonjëra nga këto komuna ka humbur edhe një metër katror nga territori, sepse janë ato komuna të cilat i kanë të dhënat për territorin e tyre dhe po ashtu që t’i shtrojnë para nesh të gjitha kërkesat, nevojat e qytetarëve atje, që ne do të mund t’i zgjidhnim në marrëveshje me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri Mustafa ka përdorur një javë më parë autoritetin për ta mbajtur akoma në jetë versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi. Ai e ka tërhequr nga Kuvendi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me fqinjin perëndimor, pikërisht në kohën kur ligjvënësit ishin bërë gati të debatonin për të dhe pastaj të votonin. Projektligji nuk do të kalonte, ngaqë subjektet në pushtet nuk i kishin 80 vota “pro”, sa është minimumi që Kushtetuta kërkon për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT