Kryetari i LDKsë, Isa Mustafa, ka mohuar se ka pasur përleshje mes anëtareve të partisë në nëndegën e LDKsë në lagjen `Tophane` të Prishtinës, ashtu siç është raportuar në media dje gjatë ditës.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka siguruar se nuk ka ndodhur asnjë përleshje në nëndegën e Tophanes. `Nuk kam marrë pjesë në këtë takim, sepse më kanë informuar se po shtyhet për një ditë tjetër, me qëllim të organizimit më të mirë. Edhe lajmet qëllimkëqija veç sa e forcojnë dhe e masivizojnë LDK-në” , ka shkruar Mustafa.
Në postimin e plotë ai shkruan:
-Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon një proces të thellë demokratik në zgjedhjet e brendshme të saj. Interesimi tepër më i madh i anëtarësisë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, është ajo çfarë në veçanti i karakterizon këto zgjedhje. Kjo flet në mënyrën e vet për besimin e shtuar të qytetarëve dhe simpatizantëve në LDK-në si forcë politike me demokraci të brendshme dhe qasje vizionare për të ardhmen. LDK dhe anëtarësia e saj, e ka të qartë se kush mund të flasë në emër të saj, se kush e ka besimin e degëve dhe të anëtarësisë.
Disa “kuadro”, qëmoti e kanë braktisur LDK-në, që kanë “vallëzuar” e bërë “dashuri” me shumë parti dhe aleanca tjera, nuk vlejnë as pesë pare për LDK-në e sotme. Predikimet e tyre, vlejnë vetëm për shitësit e “lajmeve” dhe ata që ia bëjnë qejfin veti.
Në Prishtinë, Gjakovë, Podujevë, Vushtrri, Mitrovicë, sikurse edhe në çdo degë dhe nëndegë anembanë Kosovës, udhëheqja e LDK-së po drejton proceset zgjedhore me legjitimitet dhe përkushtim të plotë. Një LDK e fortë dhe me demokraci të zhvilluar është në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Të atyre që e duan dhe nuk e duan. LDK është në qendër të vëmendjes. Një fjalë popullore thotë: pas atit të mirë ngritët pluhur.