Mustafa kërkon angazhim më të madh të ambasadorëve në diplomacinë ekonomike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e katërt të ambasadorëve në Prishtinë.

Kryeministri Mustafa theksoi se politika e jashtme dhe diplomacia për shtetet e reja siç është Kosova, janë të pazëvendësueshme për fuqizimin e subjektivitetit shtetëror, afirmimin e vlerave kombëtare dhe përmbylljen e proceseve jetike.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Më lejoni që të përshëndes punimet e konferencës së katërt të ambasadorëve të Republikës së Kosovës dhe të përgëzoj Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ministrin Enver Hoxhaj për këtë organizim kaq të mirë.

Në kohën kur bota po kalon përmes konflikteve, ndryshimeve dhe dinamikave të reja politike, diplomacia është bërë prioritet i rëndësishëm i shteteve anekënd botës.

Përtej dimensioneve përfaqësuese, ndërlidhëse, negociuese, dhe lobuese, politika e jashtme dhe diplomacia për shtetet e reja siç është Kosova, kanë rëndësi specifike duke qenë të pazëvendësueshme për fuqizimin e subjektivitetit shtetëror, afirmimin e vlerave kombëtare dhe përmbylljen e proceseve jetike, siç janë proceset që duhet t’i përmbyllim edhe ne.

Të nderuar të pranishëm,

Në Programin e Qeverisë por edhe në praktikën e punës gjatë këtyre dy vjetëve, i kemi dhënë prioritet themelor politikës së jashtme. Tash e dy vjet e kemi përqendruar një pjesë të madhe të energjisë në politikën e jashtme, duke arritur edhe suksese të rëndësishme. Përkundër vështirësive të cilat i kemi pasur brenda vendit, të cilat kanë pasur ndikime negative, pasi që politika e jashtme është reflektim direkt i politikës së brendshme dhe i rrethanave brenda, ne kemi arritur suksese që mund të konsiderohen historike në këtë periudhë, që kryesisht lidhen me proceset euro integruese.

Më lejoni që të përmend vetëm tri nga disa dhjetëra të arritura të mëdha që kemi pasur gjatë kësaj periudhe në politikën e  jashtme:

  1.    Më 27 tetor të vitit 2015 në Strasburg kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti dhe tashmë kemi mbajtur edhe takimin e parë të Këshillit për zbatimin e MSA-së. Unë nuk do të zgjatem në rëndësinë e këtij akti duke pasur parasysh audiencën e pranishme, dhe faktit se ju e dini më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë për Kosovën një vendosje e marrëdhënies kontraktuale me Bashkimin Evropian;
  2. Kosova është pranuar në UEFA dhe në FIFA dhe në disa organizata dhe konventa tjera, si dhe ka aplikuar në UNESCO ku ka marrë numrin shumë më të madh votash në krahasim me kundërshtarët tanë, por nuk kemi arritur që të anëtarësohemi duke pasur parasysh rrethanat specifike me të cilat ne jemi ballafaquar në atë kohë;
  3. Kemi hyrë në fazën e re të bashkëpunimit me NATO-n, pasi që para disa ditësh, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më ktheu një letër zyrtare ku konfirmoj disa fusha shumë të rëndësishme të reja të bashkëpunimit dhe praktikën që ne duhet ta hapim si kapitull të ri në bashkëpunim me NATO-n.

Përgjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe dhjetëra suksese tjera. Kemi pasur njohje të rëndësishme, si është ai i Singaporit, kemi zhvilluar vizita bilaterale në shtete shumë të rëndësishme, kemi takuar liderë më të rëndësishëm botërorë, siç është presidenti Barack Obama, kancelarja Merkel, liderët kryesorë të BE-së, sekretarin e kaluar dhe të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbretër, presidentë, kryeministra, burrështetas, dhe liderë nga të gjitha anët e botës.

Kosova gjithashtu gjatë kësaj kohe është promovuar si një vend atraktiv për vizitorë. Sportistët tanë kanë marrë medalje, ashtu siç tha edhe presidenti në Lojërat Olimpike në Brazil, dhe s’ka mbetur burrështetas që e kam takuar që nuk është shprehur i impresionuar me këtë fakt dhe po ashtu impresionon edhe fakti që ekipi ynë i futbollit, edhe përkundër vështirësive në hapat e parë, ka avancuar të shpreh imazh të mirë për vendin tonë.

Të nderuar diplomatë të të gjitha niveleve,

Me këtë që thash unë nuk po përpiqem që të arsyetoj këto dy vjet në aspektin e politikës së jashtme, sepse për këto do të na vlerësoj koha, por dëshiroj të them se shumë prej problemeve ditore, po i eklipsojnë të arriturat tona ditore.

Sa i përket prioriteteve të mëtejme, Qeveria e Kosovës tani është e përqendruar në zhvillimin ekonomik, në uljen e mëtejme të papunësisë, planifikojmë një pako të re të reformave fiskale, e cila do të përmirësoj edhe më tej ambientin e biznesit në Kosovë, përmes Ligjit për Investime Strategjike presim tërheqjen e më shumë investimeve të huaja nga jashtë.

Po ashtu, kemi hartuar Agjendën e Reformave Evropiane të shoqëruar me një Plan të Veprimit, përmes të cilit do ta ngritim dinamikën e reformave të fokusuar në tri fusha kryesore: në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ekonominë e tregut dhe konkurrueshmërinë, dhe në edukim dhe punësim.

Do të punojmë që sa më parë të adresojmë çështjen e demarkacionit, dhe që të filloj lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Aktualisht, vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare rreth Kosovës është e fokusuar në zgjidhjen e çështjeve problematike të mbetura me Serbinë, si dhe lidhur me procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, dhe me proceset zhvillimore në përgjithësi.

Në fushën e diplomacisë, shteti i Kosovës ka bërë përparime, por zhvillimet rreth Kosovës dhe kudo në botë janë shumë të shpejta. Kjo kërkon transformim të vazhdueshëm në shumë fusha. Në aspektin e objektivave, diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë dhe e fokusuar, agjenda aktuale e diplomacisë së Kosovës do të intensifikoj përpjekjet në përmbylljen e procesit të njohjeve, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe po ashtu në avancimin e reformave të ndryshme dhe formave të ndryshme të diplomacisë publike.

Sot çështja e Kosovës është çështje e cila duhet të zhvillohet në pikëpamje të njohjeve më shumë të jashtme. Për ne është tepër e rëndësishme që njohjet e reja kërkojnë përdorim të mënyrave kreative të diplomacisë. Mbi të gjitha, qasja duhet të jetë agjendë gjithëpërfshirëse dhe dinamike. Ne jemi mirënjohës për ndihmën dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, por ne do të na duhet më shumë mbështetje, dhe më shumë mbështetje në fuqitë tona për shkak edhe të zhvillimeve të reja në botë.

Sot nëpër botë sfida më e madhe është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kosova është e rreshtuar në koalicionin global kundër terrorizmit, dhe po kontribuon konkretisht dhe me  rezultate të mëdha në luftimin e këtyre dukurive për paqe në botë. Kjo është rruga e Kosovës në të ardhmen tonë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka rolin qendror në bërjen e diplomacisë, por gjithashtu sot diplomacia nuk bëhet vetëm përmes diplomacisë zyrtare. Kosova duhet të avancoj legjislacionin si dhe strategjitë e lobimit konform nevojave të reja. Këtu e kam fjalën për nevojën e futjes në praktikë të diplomacisë publike, ekonomike, kulturore, digjitale, që kërkon qasje integruese dhe kohezive, dhe vetëm në këtë mënyrë vendoset baza për një diplomaci efektive në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe që është në linjë me zhvillimet tepër të shpejta globale.

Është vendim shumë i qëlluar që kjo konferencë e katërt e ambasadorëve një prej fokuseve kryesore të ketë diplomacinë ekonomike, pra të ndërtoj një platformë se si politika e jashtme të vihet në shërbim të zhvillimit ekonomik, si dhe të anëtarësimit të vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Siç e dini të gjithë, Qeveria e Kosovës ka pasur zhvillim ekonomik të mirë, ka pasur prioritet kryesorë gjatë këtyre viteve që të arrij një normë më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe një normë më të lartë të punësimit. Kemi arritur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me mbi 4 për qind, kemi stabilizuar financat, kemi pasur raporte të shkëlqyera partneriteti me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore, kemi bërë reforma fiskale shumë rezultative në terren, kemi përmirësuar ambientin e biznesit, duke arritur nivele shumë të larta të vlerësimit të Bankës Botërore dhe shumë rezultate të reja. Tani me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit kemi krijuar mundësi shumë të mëdha për bizneset tona që të eksportojnë në 28 vende të Bashkimit Evropian dhe po punojmë të rrisim konkurrueshmërinë në tregun evropian. Janë këto vetëm disa nga të arriturat faktike ët cilat gjatë punës tuaj mund t’i transmetoni në vendet ku punoni dhe që  të bëni përpjekje të shtuara që të kontaktoni dhe të njoftoni bizneset serioze të huaja me ambientin shumë të favorshëm dhe mundësitë e mëdha për biznes që ofron Kosova.

Andaj, duke ju ofruar gatishmërinë e plotë të kabinetit tim qeveritar për bashkëpunim në çdo kohë, ju bëj thirrje që të angazhohemi më shumë në diplomacinë ekonomike dhe për qasje më kreative në këtë drejtim, pasi që këtë dhe me këtë mund të ndihmoni në rritjen ekonomike dhe mirëqenien e vendit tonë.

Duke njohur resurset që i kemi në shërbimin e jashtëm, dhe ngritjen graduale të kapaciteteve, jam i bindur se kjo konferencë do të përfundoj me orientime shumë të qarta në këtë drejtim.

Ju uroj shumë suksese, uroj që bashkërisht të arrijmë që të mburremi me rezultatet dhe me realizimin e objektivave tona, dhe po ashtu uroj dhe njëherë ministrin e Punëve të Jashtme, z. Hoxhaj për organizimin e kësaj konference.

Faleminderit.