Mustafa: Hungaria përkrahëse e madhe e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryeministri Mustafa e njoftoi për zhvillimet aktuale në vend, për agjendën e reformave, si dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Mustafa, shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e madhe të Hungarisë në fushën e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, zhvillimit ekonomik, proceset eurointegruese dhe aspekte tjera.

“Hungaria në vazhdimësi ka qenë një ndër mbështetësit e fuqishëm të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj dhe ne presim vazhdimin e kësaj përkrahje shumë të rëndësishme për proceset aktuale”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral me Hungarinë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, pasi vlerësoi lartë progresin e arritur nga Kosova në shumë fusha, ofroi përkrahjen e parezervë të Hungarisë për proceset e mëtejme zhvillimore si dhe eurointegruese të Kosovës.

Ministri Szijjarto, po ashtu, shprehu vullnetin e Hungarisë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale si dhe theksoi mbështetjen e mëtejme të Hungarisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për procese të veçanta të zhvillimeve në Kosovë, rajon dhe më gjerë, për bashkëpunimin ekonomik, financiar dhe të investimeve, për përkrahjen e Hungarisë në fushën e arsimit përmes bursave për studentë si dhe në fushën e sportit përmes përkrahjes për ndërtimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjes direkte për sportistët, dhe fusha të tjera.