Mustafa fillon vizitën zyrtare në landet e Baden-Württembergut dhe Bavarisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar sot një vizitë zyrtare në landet e Baden-Württembergut  dhe të Bavarisë në Gjermani.

Gjatë këtyre dy vizitave të rëndësishme për Kosovën, kryeministri Isa Mustafa i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami, Blerand Stavileci dhe Arban Abrashi, do të pritet nga kryeministrat dy landeve, Winfried Kretschmann dhe Horst Seehofer.

Kryeministri Mustafa do t’i njoftojë dy homologët për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me këto dy lande dhe me Republikën Federale të Gjermanisë, në tërësi.

Kryeministri Mustafa dhe delegacioni qeveritar i Kosovës, po ashtu, do të zhvillojnë takime të përbashkëta me dhjetëra biznese të rëndësishme gjermane si dhe do të vizitojë gjigandët gjermanë Mercedes, BMW, MAN dhe kompani të tjera gjermane.

Gjatë këtyre vizitave, kryeministri Isa Mustafa dhe ministrat përkatës, do t’i njoftojnë përfaqësuesit e bizneseve me avancimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë dhe mundësitë dhe resurset e mëdha, dhe do t’i ftojë që të investojnë në Republikën e Kosovës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT