Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vucic do të takohen javën që vjen në Bruksel.
Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në televizionin publik ka thënë se javën e ardhshme mbahet raundi i ri i bisedimeve në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Kodi i Telefonisë mobile si kapitull do të mbyllet në bisedimet e ardhshme e gjithashtu edhe faturimi i energjisë dhe inkuadrimi i tetë komunave veriore në sistemin kosovar energjetik, për të kaluar në pikat tjera, siç është krijimi i Asociacionit.
“Përkundër këtyre ngecjeve ne po shohim se do të lëvizim përpara sepse është plotësuar një pjesë e kushteve dhe hap pas hapi do të vazhdojmë deri te principet e ardhshme të normalizimit. Është e rëndësishme tash që kodi telefonik i Kosovës, integrimi sistemit energjetik, faturimi i rrymës në veri të bëhen në hapat e ardhshëm. Kodi telefonik është një çështje që po zgjidhet dhe besoj se në raundin e ardhshëm të bisedave në Bruksel, javën e ardhshme, midis dy delegacioneve ky kapitull do të mbyllet. Po ashtu do të mbyllet edhe kapitulli i faturimit të energjisë elektrike në veri dhe inkuadrimit të tërë komunave veriore në sistemin kosovar energjetik, që të dalim pastaj në pikat tjera që kanë qenë në Marrëveshjen e Brukselit, si për shembull krijimi i Asociacionit të Komunave sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu siç është planifikuar edhe në Planin e Ahtisarit”, ka theksuar Selimi.