Mustafa e Thaçi marrin mbështetje për heqjen e vizave nga PE

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëdhënësi i tij, Hashim Thaçi kanë marr mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave nga kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Gjatë vizitës në Bruksel që është duke zhvilluar kryeministri së bashku me zëvendëskryeministrin njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës, për përkrahjen e veçantë që PE ka ofruar për Kosovën.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet të gjithanshëm në Kosovë.

Kryeministri Mustafa, kërkoi përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin pa viza duke mbetur të izoluar.

“Nuk ka më asnjë arsye për mosliberalizimin e vizave për kosovarët”, tha kryeministri Mustafa, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Kurse, Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka theksuar përkrahjen e PE-së për Kosovën, duke vlerësuar progresin që po arrihet.

Kryetari Schulz shprehu mbështetje edhe për proceset integruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe hapat e tjerë të Kosovës.

Ai theksoi nevojën për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë, duke shprehur shqetësimin rreth tensioneve të fundit politike.

Kryetari Schulz, po ashtu, ka shprehur përkrahjen e PE-së për vazhdimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Kosovës.

Gjatë takimit është biseduar edhe për aktet e fundit terroriste që ndodhën në Francë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT