Mustafa betohet se do ta çrrënjos korrupsionin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me temën “Ekonomia: Me dinamikë të shpejtë”.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ku pjesëmarrës, veç të tjerëve, ishte edhe Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, Mustafa tha se Qeveria ka miratuar Programin e saj Qeverisës për katër vitet e ardhshme, ndërsa theksoi se ka përcaktuar kriteret e realizimit të këtij programi si dhe ka përcaktuar dinamikën e realizimit të tij e po ashtu edhe planin e realizimit.

Ne, tha kryeministri, i kemi përcaktuar po ashtu edhe prioritetet programore për periudhën e ardhshme katërvjeçare, të cilat pastaj do të përcillen edhe më tutje.

“Kam vërejtur që në opinion ka mendime të ndryshme se masat e politikave ekonomike, të cilat ne i kemi përcaktuar në këtë program, a janë të majta, të djathta apo të qendrës. Unë mund t’ju them se të gjitha politikat tona, konsiderojmë që duhet të jenë politika të drejta, të realizueshme, politika të zhvillimit të ekonomisë së tregut, sepse jemi përcaktuar për ekonomi të tregut”, kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa.

Image

 

Fjalimi i plotë e kryeministrit Isa Mustafa në konferencë:

Të nderuar anëtarë të Odës Ekonomike Amerikane,

E nderuar Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Jacobson,

Të nderuar ministra, deputetë,

Të nderuar përfaqësues të organeve të drejtësisë.

Qeveria ka miratuar Programin e saj Qeverisës për katër vitet e ardhshme, kemi përcaktuar kriteret e realizimit të këtij programi, kemi përcaktuar dinamikën e realizimit të tij dhe planin e realizimit dhe poashtu i kemi përcaktuar edhe prioritetet programore për periudhën e ardhshme katërvjeçare, të cilat pastaj do të përcillen edhe më tutje.

Kam vërejtur që në opinion ka mendime të ndryshme se masat e politikave ekonomike, të cilat ne i kemi përcaktuar në këtë program, a janë të majta, të djathta apo të qendrës.

Unë mund t’ju them se të gjitha politikat tona, konsiderojmë që duhet të jenë politika të drejta, të realizueshme, politika të zhvillimit të ekonomisë së tregut, sepse jemi përcaktuar për ekonomi të tregut.

Si parti, të cilat kemi shumicën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jemi parti të qendrës së djathtë, prandaj janë politika të cilat anojnë kah e djathta, përmes të cilave ne dëshirojmë të krijojmë parakushte të privatizimit të plotë të ndërmarrjeve private, parakushte të privatizimit të ndërmarrjeve të cilat janë në sektorin publik dhe të cilat do të jenë më efiçiente me rastin e privatizimit të tyre dhe të efiçiencës ekonomike, e cila mund të realizohet vetëm përmes tregut dhe jo përmes masave administrative.

Ndërkaq, në këtë periudhë kalimtare, përderisa ta forcojmë ekonominë, natyrisht se ne duhet të kemi parasysh edhe problemet sociale, me të cilat po ballafaqohemi në Kosovë dhe që politikat tona ekonomike, të jenë politika të cilat ne do t’i diskutojmë gjerësisht me partnerët tanë, me bizneset private, me bankat dhe partnerët tjerë të brendshëm dhe të jashtëm, sepse këta partnerë janë këtu, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe për këtë shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për këtë pjesëmarrje.

Në prioritetet themelore, jemi përcaktuar për zhvillimin ekonomik, i cili nënkupton rritjen më të shpejtë ekonomike, përkatësisht rritjen e normës vjetore të GDP-së më të shpejtë, në krahasim me atë të cilën e kemi pasur deri më tani. Ne synojmë një normë më të lartë dhe them se një normë që ne synojmë do të shihet një normë prej 6-7 për qind, si normë vjetore e GDP-së, e cila pastaj do të mundësonte një normë vjetore të punësimit rreth 5 për qind që do të përballonte fluksin e njerëzve që janë të papunë sot, që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, që sillen diku ndërmjet 25-30 mijë. Pastaj mbetet që përmes politikave tjera ekonomike ne të krijojmë kushte për absorbimin edhe të atyre që sot janë në tregun e punës si të papunë. Pra, politika të ndërlidhura të mbështetjes së sektorit privat të ekonomisë dhe të hapjes së vendeve të punës.

Kemi konsideruar se është e domosdoshme që të bëjmë ndryshime të caktuara në politikat fiskale, të cilat do të jenë stimulative për sektorin privat të biznesit, sidomos për ndërmarrjet e reja, të vogla dhe të mesme, të cilat do të themelohen, duke iu dhënë përparësi më të madhe bizneseve të të rinjve dhe bizneseve të grave, për arsye se papunësinë e kemi shumë të shprehur tek të rinjtë dhe gratë, qoftë si papunësi strukturore, e cila është pasojë e ndryshimeve strukturore të ekonomisë tonë, që ka ndodh si ekonomi e tranzicionit, qoftë edhe për shkak të diktimeve të tregut, sepse kemi një treg krejtësisht tjetër në krahasim me atë që ka pasur Kosova përpara.

Kemi propozuar poashtu që të bëhen edhe lejime doganore përmes ndryshimit të ligjit që do të mundësojë importimin e makinerisë, të pajisjeve dhe të lëndës së parë, e cila nuk prodhohet në vend, të lirohet nga doganat dhe obligimet tjera tatimore dhe të cilat do t’i shërbejnë prodhimit, në mënyrë që ta bëjë më të lirë investimin në fushën e prodhimtarisë, sepse konsiderojmë se në pikëpamje të strukturës ekonomike, ne kemi tani më tepër prezentë shërbimet, tregtinë dhe më pak prodhimet, ndërkaq nxitja e prodhimit të brendshëm do të ndikonte në uljen e importit të shumë produkteve të cilat ne mund t’i prodhojmë vet dhe krahas me këtë do të ndikonte në ndryshimin e bilancit tregtar me jashtë, sepse do ta përmirësojmë strukturën e këtij bilanci dhe pse jemi larg që të mund ta bëjmë pozitive, dhe në anën tjetër do ta rrisim GDP-në për pjesën e produkteve, të cilat ne nuk i importojmë, por i prodhojmë vet.

Jemi të interesuar që të kemi politika tregtare, të cilat do ta përmirësonin mjedisin biznesor dhe pastaj do ta përmirësonin që bizneset tona të jenë të barabarta, konkurrente me bizneset tjera në regjion dhe me bizneset tjera qoftë në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.

Natyrisht se kur e them këtë, e shtrojmë edhe problemin e kufizimeve që kanë bizneset tona sa i përket regjimit të vizave, sepse ata kanë probleme të lëvizin ashtu siç lëvizin menaxherët tjerë të bizneseve, por do të bëjmë përpjekje që me përkrahjen e partnerëve tanë që ne t’i përmbushim detyrimet tona sa i përket regjimit të vizave dhe poashtu të kemi edhe përkrahjen e partnerëve evropianë në mënyrë që të arrijmë edhe këtë objektiv.

Duhet të bëjmë më shumë në luftën kundër ekonomisë informale, sepse kemi informalitet edhe te punësimi, kemi informalitet edhe në tregti, tek tatimet dhe doganat dhe zvogëlimi i këtyre informaliteteve do të përmirësonte konkurrencën në treg, sepse do të ndihmonin bizneset e barabarta, në mënyrë që të kemi kosto të barabartë të daljes në treg, do ta përmirësonin bilancin tonë fiskal, sepse do të kemi të hyra më të mëdha dhe poashtu do ta përmirësonin edhe pozitën e punëtorëve, përkatësisht të punonjësve që punojnë në sektorin privat, për arsye se ndaj tyre do të kryheshin obligimet që do të kryhen nga kompanitë e bizneseve.

Jemi të interesuar të thjeshtëzojmë ligjet dhe procedurat ligjore, të cilat rregullojnë bizneset, zvogëlojnë burokracinë dhe po ashtu të zvogëlojnë numrin e njerëzve, përkatësisht barrierave, të cilat bizneset duhet t’i kalojnë për të marrë një leje ose për të marrë një dokument, ose për të themeluar biznesin, sepse ajo që u shtrua këtu nga kryetari i bordit të asociacioneve të këtyre bizneseve, flet për ankesat që i kemi nga investitorët e jashtëm për prezencën e madhe të korrupsionit, i cili pengon dhe i cili është një faktor i madh destimulues i ardhjes së investitorëve të jashtëm.

Korrupsionin ne nuk mund ta luftojmë vetëm në mënyrë të njëanshme, korrupsionin duhet të na ndihmoni edhe ju që ta luftojmë. Ju duhet të jeni ata që nuk duhet t’i nënshtroheni korrupsionit dhe që duhet ta bëni transparent dhe të tregoni se kush nga institucionet qeveritare ose institucionet tjera, kërkon që përmes sistemit të korruptimit të zhvillojë ekonominë dhe unë ju betohem që ne do të marrim masa që ajo të mos ndodh.

Mirëpo edhe këtë prezencë ne duhet ta luftojmë përmes zhvillimit ekonomik, sepse konsideroj që masat që ne duhet t’i marrim për lehtësimin e të bërit biznes, për tërheqjen e investimeve, për hapjen e vendeve të reja të punës, për themelimin e ndërmarrjeve të reja të vogla dhe të mesme do të ndikonte në atë që edhe ata ta cilët janë të prirur për korrupsion, në institucione dhe jashtë tyre, të kenë më pak hapësirë që të merren me këtë.

Ndërkaq, unë besoj plotësisht se organet e drejtësisë, përfaqësuesit e të cilëve sot i kemi këtu po bëjnë dhe do ta bëjnë edhe më shumë punën e tyre në mënyrë që bashkërisht këtë dukuri ne ta luftojmë. Jemi të interesuar që të punojmë bashkërisht në promovimin e investimeve, kemi nevojë më të madhe për tërheqje të investimeve të huaja direkte, për arsye të burimeve joadekuate të financimit të cilat ne akoma i kemi këtu në Kosovë.

Edhe pse sistemi bankar ka arritur që t’i ulë normat e interesit dhe t’i bëjë më atraktive për bizneset por konsideroj se akoma ato janë larg asaj që veçmas sektori i prodhimit kërkon sa i përket burimeve të financimit.

Janë bërë përpjekje në biseda edhe me Bankën Botërore edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me institucione të tjera financiare botërore në mënyrë që të gjejmë burime më të volitshme. Unë mendoj se ne këtu do të kemi përkrahjen, mirëpo do ta kemi përkrahjen krahas përmbushjes së disa detyrimeve tona dhe disa obligimeve tona të cilat shprehen në atë fushë.

Me prioritet do të punojmë në bujqësi sepse konsiderojmë si një fushë e cila do të mundëson më shumë dhe më shpejt hapje të vendeve të reja të punës, mundëson prodhimtari vetanake më të shpejtë dhe mundëson përmirësim më të madh të bilancit tregtar me jashtë, por edhe produkte më cilësore se sa ato që ne nganjëherë i importojmë nga vendet e tjera.

Unë konsideroj se ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Odën Ekonomike Amerikane edhe në fazën e konceptimit të politikave tona ekonomike sepse kanë qenë shumë bashkëpunues dhe kanë dhënë sugjerime, vërejtje dhe propozimet e tyre, shumicën e të cilave unë mendoj se edhe Ministria e Financave dhe ministritë e tjera i kanë marrë parasysh. Por, konsideroj se ne nuk mund ta realizojmë rolin tonë në të ardhmen në qoftë se nuk do të kemi një bashkëpunim më të thellë.

Ne tani jemi marrë vesh që të formojmë edhe Fondin për Përkrahje të Bizneseve, nuk e kemi definuar qartë se a do të jetë fond i cili do të ofroj garancione dhe do të garantoj kreditë për bizneset e vogla dhe të mesme, natyrisht jo për të gjitha por për disa prej të cilave ne mund t’i përkrahim, a do të jetë fond i cili do të merr përsipër pagesën e interesave për kredi të cilat do t’i marrin bizneset në fazën e themelimit të tyre në mënyrë që kreditë të jenë më të lehta dhe më të përballueshme për ato biznese, a do të jetë fond për sigurimin e mjeteve iniciale për themelimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, sidomos nga të rinjtë dhe nga gratë të cilave ne do t’ju japim prioritet, por janë fonde të cilat domosdoshmërish ne do t’i themelojmë. E kemi edhe përkrahjen e USAID-it, edhe të partnerëve të jashtëm, do të shfrytëzojmë edhe burime dhe mjete nga buxheti dhe nga procesi i privatizimit, ato të cilat lirohen nga ky proces për të mbështetur këtë fond.

Kemi sjellë po ashtu vendim për themelimin e një grupi punues i cili do ta harton ligjin për faljen e borxheve deri në fund të vitit 2008, nuk është fjala këtu që ne përmes këtij ligji po i diferencojmë ata që kanë përmbush obligime dhe ata që nuk kanë përmbush obligime, fjala është për atë që ne duhet të lirojmë një pjesë të bartjes kontable të disa detyrimeve të cilat nuk janë funksionale dhe të cilat nuk janë ekzekutive dhe si të tilla na pengojnë edhe në procesin kontabël por pengojnë që edhe bizneset të përmbushin detyrimet e tyre.

Ne jemi të interesuar që t’i nxisim qytetarët dhe bizneset që ata të bëhen tatimpagues të rregullt, të bëhen pagues të rregullt të shpenzimeve të energjisë elektrike, të ujit dhe të shpenzimeve tjera për të cilat i detyrohen kompanive publike dhe kompanive të tjera dhe njëherë e përgjithmonë të vëmë një rregull. Ne e kemi menduar vetëm si formë nxitëse dhe si formë lehtësuese për qytetarët dhe për bizneset dhe assesi si formë përmes të cilës ne do të stimulojmë një pjesë e cila nuk ka përmbushur obligime në barrë të atyre që kanë qenë të rregullt në përmbushjen e obligimeve të tyre.

Po ashtu, po punojmë edhe në marrëveshje strategjike me investitorë të drejtpërdrejtë të cilët vijnë dhe investojnë në Kosovë, mirëpo gjithmonë duke respektuar ligjet që janë në fuqi dhe duke respektuar konkurrencën, sepse konkurrenca është ajo që i kontribuon ekonomisë dhe i kontribuon zhvillimit dhe cilësisë të partneriteteve tona, të cilat do t’i ndërtojmë në të ardhmen.

Faleminderit shumë për vëmendjen!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT