Mustafa: 383 është kod shtetëror

Drejtori Ekzekutiv i VALA-s, Agron Mustafa, ka dhënë një sqarim në lidhje me kodin telefonik 383 që i është dhënë Kosovës ditë më parë e për të cilin pati shumë reagime. Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ky kod është kod shtetëror duke iu referuar kodeve telefonike të shteteve tjera evropiane.

“Për të gjithë të interesuarit, linku i mëposhtëm paraqet të gjitha kodet ndërkombëtare telefonike, sipas buletinit më të vonshëm të publikuar nga ITU (15.12.2016) ku mund të shihet edhe kodi më i ri telefonik që na është dhënë neve, Kosovës.

https://www.itu.int/…/itu-t/opb/sp/T-SP-E.164D-2016-PDF-E.pdf

Po ashtu mund të vëreni dallimin e kodeve që iu janë dhënë disa regjioneve gjeografike që janë pjesë përbërëse të shteteve tjera dhe si janë ato të paraqitura në buletin, në raport me kodin që na është dhënë neve”, thotë Mustafa.

Të gjitha kodet ndërkombëtare telefonike në shfrytëzim nga të gjitha vendet evropiane, siç ka shkruar Mustafa, fillojnë me +3XX ose +4X, që nënkupton se numri i parë “3 ose 4” është numër identifikues gjeografik dedikuar Evropës.

“Me fjalë tjera i bie, që të gjithë kodet ndërkombëtare telefonike, përveç që janë kode shtetërore, janë edhe kode gjeografike – me ndonjë përjashtim sikurse që mund ta shihni në buletin rastin e Taiwanit apo Hong Kongut ose Macaut”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë se në Telekomin e Kosovës i janë gëzuar këtij lajmi, “mirëpo kam pa dhe lexuar që jo të gjithë mendojnë dhe kanë qasjen e njëjtë me ne mbi Kodin Ndërkombëtar Telefonik”.

“Andaj, ky link lë të shërben për sqarimin dhe përpjekjen e eliminimit të shumë zërave dhe kritikave mbi kodin, veçanërisht të krijimit të paqartësive mbi atë se nuk është kod shtetëror por kod gjeografik”, ka përfunduar kreu i VALA-s.