Murati: Me rregulloren e re nuk do të ketë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se me rregulloren e re nuk do të ketë më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura.

Murati përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka nisur në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë.

Sipas tij, kjo do të ulë edhe numrin e veturave të paregjistruara.

“Nuk do të ketë më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura. Sot kam nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë. Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast së pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë.  Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë.  Kurse me projekt-rregulloren e re, pas miratimit të saj në qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën”, shkruan Murati.

Tutje, ai shton se “Kjo e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë (dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim)”.

“Poashtu, kjo ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesë së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë. Qytetarët megjithatë duhet të paguajnë me rregull faturat e tatimit në pronë, edhe pas heqjes së këtij detyrimi, sepse me ligjin e ri që rregullon këtë çështje, të gjithë personat që kanë borxhe mbi 300 euro, do të trajtohen përmes përmbaruesit”, shkruan ai. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT