Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media ka thënë se auditori i brendshëm ka gjetur keqpërdorim të 43 milionë eurove gjatë Qeverisë Haradinaj në procesin e shpronësimit në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë.

“Sot kemi ftu këtë konferencë që tju njoftojmë me një prej gjetjeve kryesore nga një raport i auditimit të brendshëm që është bërë në lidhje me procesin e shpronësimit të njërit nga projektet pra autostrada Kijevë-Zahaq, apo Prishtinë-Pejë. Kemi thënë në vazhdimësi që me shpronësimet apo projektet e mëdha ka pas dallavere e keqpërdorime dhe tani i kemi edhe shifrat dhe dokumentin. Bëhet fjalë për një keqpërdorim 43 milionë euro e që në fakt brenda atij 43 milionë euro ka dyshime të mjaftueshme për të konstatu se bëhet fjalë për falsifikim të 12 milionë eurove

Ministria e Infrastrukturës më 24 gusht 2018 ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po flasim për Qeverinë e PAN, pra për Qeverinë Haradinaj, në atë shkresë kërkon që të fillohet procesi i shpronësimit për segmentin ku do të shpronësoheshin 1050 prona.

Janë prona të veçanta që në fillim ishin të vlerësuara lart dhe janë dyfishuar. Pra pronave specifike është dyfishuar vlera. Pronat që janë ngjitur me njëra-tjetrën, njëra është shpronësuar 800 euro ari, kurse tjetra 3500 euro ari. Kjo 3500 është bërë 7000 derisa kjo tjetra ka mbetur 800”, tha Murati./Indeksonline/