Mungon Ajeti, por De Biazi e ka gati zëvendësuesin në qendër

Dëmtimi i Arlind Ajetit ka përhapur pak panik mes tifozëve të kombëtares shqiptare, pasi mbrojtësi mendohej si partneri ideal i Mërgim Mavrajt në qendër të prapavijës, pas largimit të Lorik Canës nga kuqezinjtë.

Veseli

Por trajneri Xhani De Biazi duket se ka gati futbollistin i cili mund të zërë vendin e tij në qendër të mbrojtjes.

Klubi i Empolit ka konfirmuar nëpërmjet faqes në internet se Frederik Veseli ishte grumbulluar nga trajneri De Biazi për dy ndeshjet kundër Marokut dhe Maqedonisë, që kuqezinjtë zhvillojnë në fillimin e këtij edicioni futbollistik, transmeton Panorama-Sport.

Lojtari ishte planifikuar që të largohej nga Empoli që në merkaton e verës, drejt një klubi të Serisë B për t’u aktivizuar më rregullisht.

Por ai ka bindur trajnerin Martushelo me paraqitjet e tij në këto dy javë stërvitje, ku është aktivizuar si qendërmbrojtës.

Edhe De Biazi e sheh Veselin më shumë në këtë pozicion, jo si një alternativë për krahun e djathtë të prapavijës ku Hysaj është i paprekshëm. Për këtë arsye, Veseli kthehet në alternativën e parë të trajnerit kuqezi për të zënë vendin e Ajetit të dëmtuar.

Duhet kujtuar se edhe në ndeshjen kundër Francës në Euro 2016, De Biazi vendosi që të aktivizonte pikërisht Veselin pas dëmtimit të Ajetit në minutat e fundit të duelit, ndonëse ajo zgjedhje e tij u kritikua gjerësisht.

Sido që të shkojë e ardhmja e tij me kombëtaren, Veseli duket se e ka siguruar qëndrimin te Empoli, ku tashmë është përfshirë edhe në përbërjen zyrtare të skuadrës. Sipas faqes së Empolit, mbrojtësi do të mbajë numrin 13 në këtë sezon në Serinë A.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT