Mungesa e shtetit ligjor, parajsë për kriminelët e politikës dhe biznesit!

Nga Faik KRASNIQI
Padyshim që peshqit e mëdhenj të politikës, janë të lidhur me biznesmenët e papërgjegjshëm që tash e 16 vite bëjnë kontrabandë me grurin, miellin, qumështin pluhur etj! Sepse është vështirë të merresh me këto gjëra të paligjshme dhe të rrezikshme, nëse nuk qëndrojnë prapa teje njerëz të fuqishëm të politikës, që kanë interesa të përbashkëta biznesore dhe të mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali! Normal që me ndihmën e oligarkëve të politikës, prej pasluftës këto kompani kanë krijuar monopol në ekonominë e vendit, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe shtetin e Kosovës, dhe njëkohësisht duke i dëmtuar rëndë edhe bizneset e ndershme! Me këto gjëra duhet të merret drejtësia, por me që drejtësia tek ne nuk funksionon për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe biznesit, vështirë se do ndryshojë kjo gjendje edhe për një kohë të gjatë! Kur Kosova të bëhet një shtet i fortë ligjor, atëherë të gjithë keqbërësit e politikës dhe biznesit, do të përgjigjen për të bëmat e tyre! E deri sa të bëhet shteti ligjor, ne të gjithë do të jemi vetëm spektator të veprave të tyre të paligjshme, pasurimit të mëtutjeshëm të tyre, pa pasur fuqi që t’i parandalojmë këto krime ekonomike, që e kanë lënë dhe po vazhdojnë ta lënë Kosovën të pazhvilluar ekonomisht, me papunësi shumë të madhe dhe vendin më të varfër në Evropë!
                                           Rritja e TVSH-së i dëmton qytetarët!
Rritja e TVSH-së do t’i dëmtojë vetëm qytetarët, sepse këtë do ta shfrytëzojnë tregtarët e pandërgjegjshëm dhe do t’i ngrisin çmimet akoma më të larta, e në bazë të standartit jetësor në Kosovë, çmimet aktuale janë shumëfish më të larta, që nënkupton se shportat e qytetarëve do të jenë edhe më të varfëra seç kanë qenë deri më tash! Prandaj rritja e TVSH-së do t’i bëjë nder vetëm bizneseve të pandershme, por në anën tjetër do të sjell përkeqësim të situatës, dhe çdoherë ekziston rreziku për shpërthim të trazirave sociale, për shkak të papunësisë së lartë dhe varfërisë së madhe!
                       Evazioni fiskal dëmton bizneset, ekonominë dhe buxhetin e Kosovës!
Evazioni fiskal në Kosovë është në përmasa shumë të mëdha, do të thoja në masa tepër shqetësuese. Që nga paslufta në Kosovë, ekonomia joformale që llogaritet të jetë deri në 45% apo më shumë, ka dëmtuar konkurrencën e lirë të tregut, e sidomos buxhetin e Republikës së Kosovës! Evazioni fiskal e varfëron buxhetin e Kosovës, për më shumë se 1 miliard në vit! Me mbi 1 miliard euro në vit më shumë në buxhetin e Kosovës, dhe me investime të mençura në sektorin e ekonomisë, kryesisht në bujqësi, stimulimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, brenda një periudhe 5 vjeçare, do të kishim zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe papunësia do të binte diku tek 20-25%!
                               Pasuria e Kosovës në duart e matrapazëve!
Nëse e shikojmë se me çfarë çmime qesharake janë shitur ndërmarrjet në Kosovë. nuk ka asnjë dyshim që prapa ndërmarrjeve të privatizuara, qëndrojnë njerëzit e politikës, sepse përmes AKM-së e më vonë AKP-së, ata përmes njerëzve që i kanë pasur anëtar të bordeve, e kanë pasur në dorë edhe vënien e çmimeve, por edhe se kujt t’i shiten
ndërmarrjet! E, fatkeqësisht pasuria e Kosovës, ra në duart e matrapazëve, që e dëmtuan ekonominë, në vend se ta zhvillojnë. Lëre që ndërmarrjet në Kosovë u shitën me çmime shumë të lira, por pas privatizimit ngelën papunë me dhjetëra mijëra punëtorë dhe shumica e tyre edhe pse kanë qenë ndërmarrje prodhuese, sot shërbejnë për gjëra të tjera! Tokat e koperativave bujqësore, në vend se të shërbenin për mbjellje, ato u shëndrruan në hekur e beton, në të cilat u bënë ndërtime banimi dhe pika karburanti!
Me një fjalë privatizimi është bërë për biznes, e jo për ta rimëkëmbur ekonominë e Kosovës! Prandaj privatizimi i ndërmarrjeve në Kosovë, duhet të rishikohet nga fillimi: se me çfarë çmimi janë blerë, kush është pronari i vërtetë, a i është ndërruar destinacioni dhe pronari a i ka përmbushur obligimet për investimet që i ka pasur si kusht dhe për rritjen e numrit të punëtorëve, në periudhën e caktuar me ligj!
                      Tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është domosdoshmëri!
Kosova dhe Shqipëria e quajnë njëri-tjetrin vëllezër, e në anën tjetër bëjnë tregti me Serbinë, Maqedoninë, Greqinë, Italinë etj, e më së paku mes veti! Por ky mosbashkëpunim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është e qëllimshme, sepse kompanitë që kanë monopol në mallërat e Serbisë, e pengojnë një gjë të tillë! Gjysma e mallit edhe kontrabandohet nga Serbia, përmes këtyre kompanive, e që e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, që do të thotë se buxheti i Kosovës shkaku i kontrabandës, është më i varfër për 1 miliard euro në vit! Çfarë të mira i sjell Kosovës dhe Shqipërisë, nëse shkëmbejnë mallëra mes vete, ose më mirë të themi ta bëjmë një treg të përbashkët!
Shqipëria dhe Kosova, formalisht dhe joformalisht importojnë mallra nga vende të tjera diku në vlerën 10-12 miliardë euro në vit! Nëse do të bëhej një treg i përbashkët, atëherë importi do të binte përgjysmë, që do të thotë se 5-6 miliardë euro do të mbeteshin në dy shtetet shqiptare. Me këto 5-6 miliardë euro shtesë investime në vit, do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe një zbutje të ndjeshme të papunësisë! Por siç thashë edhe më lartë, për shkak të interesave të këtyre kompanive që kanë krijuar monopol në të dy anët e kufirit, e që importojnë mallëra nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Italia, Turqia etj, dhe padyshim që njerëzit e fuqishëm të politikës qëndrojnë prapa këtyre kompanive, pasi nuk po e bëjnë një gjë të tillë për ta hequr monopolin e krijuar nga këto kompani mafioze, e që është në të mirën e të dyja vendeve, sepse do të kishim një zhvillim të hovshëm ekonomik, një treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri, është shumë vështirë të realizohet! Për shkak të mungesës së një shteti të fortë ligjor, pengesë e zhvillimit ekonomik si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, është trekëndëshi kriminal, politikë-biznes-mafi!
- Advertisement -

MË TË FUNDIT