Në Gjermani e kanë pothuajse të garantuar vendin e parë. Titulli kampion është utopi për çdo skuadër të Bundesligës, që nuk e ka emrin Bajern. Po, flasim për Bajernin e Pep Guardiolës, skuadrën e rekordmenëve, të cilët gjithnjë e më shumë po e pranojnë hapur se ndihen superiorë. Në fakt kjo nuk përbën lajm në Gjermani, por deklarata e fundit e Tomas Mylerit po. Sipas bavarezit, Bajerni është më i miri në Evropë dhe jo vetëm në Gjermani.
Deklarata – Në një intervistë për gjermanen “Sport Bild”, Myler ka shprehur si rrallë herë ndjenjën e parakohshme të triumfit në Champions League. “Ne kemi pasur një grup shumë të fortë në fazën e parë të Champions Leagues. Dhe në fazën e dytë kemi skualifikuar një nga skuadrat më të forta në aspektin ofensiv. Nga ajo që kam parë deri tani, ne jemi skuadra më supreme e Champions Leagues”, ka deklaruar mesfushori. Bajerni dhuroi një performancë spektakolare kundër ukrainasve të Shahtjor Donjetskut në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/8-ave, e cila përfundoi me rezultatin 7-0.
- Advertisement -