Oraret e ndeshjeve të Premier League kanë formuar një aleancë që nuk është parë asnjëherë deri më sot: atë mes Pep Guardiolës dhe Jose Mourinhos.
Tekniku i Manchester City u ankua për kalendarin e kësaj fundjave, pasi ishte skuadra e “Citizens” ajo që hapi këtë javë të kampionatit me ndeshjen ndaj Burnley, vetëm 72 orë pas sfidës me Mönchengladbach në Ligën e Kampioneve.
“Nëse të thonë të luash në 13:30, duhet ta bësh. Edhe po të ankohesha në Federatë, nuk do të ndryshoja gjë. Megjithatë, kjo nuk ndodh vetëm me ne, por me të gjitha skuadrat. Është e nevojshme që kalendari të përcaktohet duke u bazuar edhe te ndeshjet evropiane të skuadrave”, deklaroi Guardiola.
Çështja e orareve të ndeshjeve në Premier League është diskutuar me forcë nga Jose Mourinho prej kohësh. Në një intervistë për “Daily Mail”, trajneri portugez i Manchester United theksoi se drejtuesit e ligës angleze kanë krijuar një situatë të vështirë për klubet. Sipas tij, më shumë rëndësi i jepet kampionatit dhe jo sfidave në Ligën e Kampioneve apo Europa league.
/ Top Channel