Qendra Europiane për Parashikime Afatmesme, ka parashikuar motin për javët nga 22 qershori deri më 26 korrik. Sipas këtyre parashikimeve, gjatë këtyre javëve do të mbajë mot i ndryshueshëm, me temperatura të ulëta dhe me reshje të shiut.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga “Prishtina Weather”.

“Sipas parashikimit të përpunuar gjatë kësaj jave nga Qendra Europiane për Parashikime Afatmesme, mot i ndryshueshëm, me temperatura më të ulëta nga vlerat mesatare dhe më i lagësht do mund të mbizotërojë edhe në javët në vijim. Temperaturat do të mbeten të ulëta edhe gjatë kësaj periudhe, derisa të reshurat do të jenë më të bollshme në krahasim me mesataret shumëvjeçare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se këto janë tendenca të motit për javët në vijim dhe se nuk duhet të merren si parashikime me saktësi të lartë.

“Në fund duhet theksuar që këto janë vetëm tendenca të motit për javët në vijim, d.m.th. nuk duhet të merren si parashikime me saktësi të lartë, ngase nga java në javë tendencat mund të ndryshojnë. Për shkak që jemi duke shkuar nga pjesa më e nxehtë e vitit, do të ketë periudha kur temperaturat maksimale do ngrihen edhe mbi 30C, mirëpo në bazë të këtyre trendeve gjasat janë të ulëta që të ketë temperatura edhe mbi 35C, së paku për këtë periudhë deri në fund të muajit korrik”, theksohet në njoftim.

Këto janë paraqitjet grafike të trendëve të motit për javët në vijim, sipas “Prishtina Weather”:

22.06-28.06.2020 – Java nëpër të cilën po kalojmë do të jetë për 1C deri 2C më e freskët se vlerat mesatare, e po ashtu edhe në aspektin e të reshurave, modeli ka rezultuar më i përafërt me vlerat e parashikuara të anomalisë pozitive, sepse sasia e të reshurave që është regjistruar vetëm ditën e sotme, mbi 50mm, del të jetë më i saktë. Sipas parashikimeve të fundit në fundjavë temperaturat maksimale mund t’i afrohen edhe 30C.

29.06-05.07.2020 – ditëve të para të muajit korrik temperaturat mbesin pak të ulëta, por përreth vlerave mesatare. Sa i përket të reshurave mund të ketë pak më shumë të reshura nga vlerat mesatare

6.07-12.07.2020 – Temperaturat mbeten të ulëta pothuajse në të gjithë rajonin, e po ashtu edhe të reshurat do të kenë vlera paksa më të rritura.

13.07-19.07.2020 – edhe gjatë mesit të muajit korrik vlerat e temperaturës së ajrit mbeten për 1 deri në 2C më ulëta, derisa tendencat për reshje janë që të kemi reshje të bollshme edhe këtë javë.

20.07.2020 – 26.07.2020 – Java e katërt e muajit korrik ka mundësi të ketë më pak periudha me shi, mirëpo temperaturat mbeten ende paksa më të ulëta në krahasim me vlerat shumëvjeçare.