Mosvotimi i Gjykatës Speciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme!

 

Shkruan Faik KRASNIQI

 

Duke e parë se cilët deputetë të PDK-së votuan kundër, cilët deputetë nuk morën pjesë fare në votim dhe dy të tjerë që abstenuan, deputetë që janë besnikë të liderit të PDK-së, shihet qartë që votimi i Gjykatës Speciale nga ana e PDK-së, ka qenë e tëra teatër dhe e orkestruar që të dështojë që në fillim nga lidershipi i kësaj partie! Kjo e gjitha është një lojë e Hashim Thaçit, për qëllimet e tij madhore! Bashkësia Ndërkombëtare për shkak të numrave të nevojshme në Kuvend, e dha ”aminin” që të formohet ky koalicion, në mënyrë që të votohet Gjykata Speciale! Por edhe pse këto dy parti e morën përsipër dhe dhanë garanci Bashkësisë Ndërkombëtare që pa asnjë problem do ta votojnë Gjykatën Speciale, dështuan dhe i zhgënyen edhe miqtë tanë ndërkombëtare! Unë pres që do të votohet Gjykata Speciale edhe nga deputetët e PDK-së, sepse e gjitha kjo ka qenë lojë e kësaj partie, për qëllimet e tyre madhore karshi Bashkësisë Ndërkombëtare!

 

Këtë vit Kosova do të ketë zgjedhje të reja!

 

Ky koalicion i krijuar nga dy partitë më të urryera, prej pas luftës në Kosovë, prej fillimit ka qenë i zorit dhe i dështuar, sepse është krijuar nga njerëz të të dyja partive, që për interes kanë pasur jo qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e shtetit, por mbrojtjen e biznesve të tyre dhe përmes pushtetit ta zhvasin akoma më shumë shtetin dhe popullin, në mënyrë që ta mbajnë monopolin dhe zhvillimin e mëtujeshëm të aktiviteteve të tyre kriminale! Edhe LDK-ja e dinë që PDK-ja koalicionin me ta e ka bërë, për t’i shpëtuar shkuarjes në opozitë, sepse të gjithë e dimë që pas krijimit të koalicionit VLAN, PDK-ja u mbështet për muri dhe shpëtimi  i vetëm i tyre ishte koalicioni me LDK-në! Prandaj edhe ky koalicion mori ”aminin” e Bashkësisë Ndërkombëtare, në mënyrë që ta votojnë Gjykatën Speciale, me që këto dy parti kishin shumicën parlamentare! Por pas dështimit të votimit të Gjykatës Speciale, llogaritë e ndërkombëtareve dolën të jenë të gabuara, sepse qëllimi i PDK-së që nga fillimi ka qenë prishja e këtij koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja! Edhe kështu do të ndodhë! Gjatë vjeshtës PDK-ja do të jetë ajo që do ta prishë këtë koalicionin dhe do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, koalicion që nuk po i sjell asgjë të mirë këtij vendi, por si gjithmonë vetëm pushtetarëve dhe bizneseve kriminale që janë të lidhura ngushtë me këta mafiozë të politikës! Padyshim që PDK-ja e shehë veten si fituese, sepse me një LDK që dy herë i dha goditje vetes dhe e humbi pjesën më të madhe të elektoratit të saj dhe me një opozitë të lodhur dhe pa alternativë, jo vetëm që do t’i fitojë zgjedhjet, por do t’i deklasoj të gjitha partitë aktuale, sepse PDK-ja ka arritur ta ruaj elektoratin e saj, madje edhe e ka rritur! Dhe kanë të drejtë që e prishin koalicionin, sepse janë bindshëm më të fortë se gjitha partitë aktuale në Kosovë! Duke e njohur karizmin dhe ambiciet e Hashim Thaçit, që nuk toleron gjatë të jetë i dyti, brenda këtyre 3-4 muajve më së largu, do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, që të rikthehet prapë kryeministër i Kosovës, e me një fitore bindëse, tre postet kryesore shtetërore PDK-ja t’i mbaj për vete! Plus kur t’ia shtojmë këtu edhe ambiciet e mëdha të Kadri Veselit, atëherë këtë mundësi e bën akoma më të madhe! Kështu që shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja! Por edhe nëse PDK-ja brenda këtyre tre-katër muajve nuk e dërgon vendin në zgjedhje dhe e pret momentin akoma më të volitshëm për ta bërë një gjë të tillë, dhe pasi të votohet Gjykata Speciale, Bashkësia Ndërkombëtare nuk do ta pres PDK-në që ta prish këtë koalicion, e cila që nga fillimi ka qenë e përgatitur për këtë gjë, por gjatë vjeshtës vetë ndërkombëtarët do të jenë ata që do ta prishin koalicionin dhe vendin do ta dërgojë në zgjedhje, sepse këto dy parti ranë nga testi dhe e dëshmuan që nuk janë të afta të udhëheqin Qeverinë, e lëre më të votojnë ligje madhore, edhe pse kanë shumicën parlamentare për të qeverisur!

- Advertisement -

MË TË FUNDIT