Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Gjermani me një shkrim të publikuar në faqen zyrtare Facebook, ka reaguar ndaj mospranimit të 4.600 zarfeve me vota nga mërgata nga KQZ-ja, duke e cilësuar si skandal.

“Këto zarfe janë dërguar brenda afatit ligjor, sipas rregullave të parashikuara nga ligji. Prandaj ato duhet të pranohen. Koha e mbërritjes është e parëndësishme, pasi ajo nuk varet nga vetë votuesit, por nga rrethana të paparashikueshme”, thuhet në reagim.

Më tej shkruhet se me mospranimin e këtyre zarfeve me vota, KQZ-ja arbitrarisht ua mohon të drejtën e votës mijëra mërgimtarëve shqiptarë.

“Në të njëjtën kohë i pranon pa asnjë reagim zarfet me votat e serbëve, të cilat shkuan aty kundërligjshëm, jo me postë, po me transport manual, nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë.

Pra KQZ-ja më lehtë pranoi votat e dërguara kundërligjshëm prej atyre që Kosovës i dërgojnë helm, se sa votat tona të dërguara tërësisht në mënyrë të ligjshme, nga mërgimtarët që Kosovës i dërgojnë veç ndihmë.

Ky veprim i KQZ-së na skandalizon. Shpresojmë ende se votat tona do të merren parasysh dhe do të numërohen. Shpresojmë se institucionet e Kosovës ta ndalin diskriminimin e mërgatës shqiptare, sepse pa ne, ato institucione nuk do të ishin”.