Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar ndryshime në nenin 437 të Kodit Penal, i cili flet për mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare. Ndryshimet favorizojnë zyrtarët që nuk deklarojnë ndonjë pjesë të pasurisë.
Paragrafi i parë i këtij neni të Kodit Penal kërkon që çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.
Vepra penale nga ky paragraf konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, ka thënë se pas fjalëve “një gjë të tillë” do të shtohen fjalët “me qëllim të fshehjes së pasurisë. Kësisoj, siç shkruan sot Koha ditore”, për t’u shqiptuar dënimi për fshehje të pasurisë domosdo duhet të faktohet motivi i fshehjes së qëllimshme.
- Advertisement -