Morina: Sistemin prokurorial e degraduan Kabashi e Hoxha

    Shefja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina, ka akuzuar ish-kryeprokurorin e shtetit Ismet Kabashi dhe ushtruesin e detyrës Sylë Hoxha, për degradim të sistemit prokurorial të Kosovës.
    Morina në një intervistë për ‘Kosova Sot’ ka thënë se problemet me të cilat është duke u përballur sistemi prokuroral janë si pasojë e lënies së një sistemi të rrënuar nga ish-kryeprokurori Kabashi, duke filluar që nga kupola e tij, që është Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
    “Nuk është se KPK, ka degraduar përnjëherë, por gradualisht. Edhe përpara nuk ka qenë në rregull. Këtu i referohem periudhës para ardhjes së ushtruesit të detyrës Hoxha. Ka ndodhur një fuqizim i administratës, i njerëzve rreth ish- kryeprokurorit Kabashi dhe një anashkalim i prokurorëve të tjerë, bile edhe atyre të KPK-së”, ka thënë Morina për Kosova Sot.
    Ajo ka akuzuar Sylë Hoxhën se nuk po e kryen punën e vet si duhet dhe se po tenton te ja zgjas vetes mandatin.
    “Vetëm detyrën e tij për të cilën është zotuar publikisht, ai nuk e ka bërë, por ka bërë gjithçka që ta zgjasë këtë punë në pafundësi”, ka thënë Morina.