Seanca e sotshme plenare filloi me polemikat mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe shefit të Grupit Parlamentar nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ku ky i fundit kërkoi me çdo kusht ta merrte fjalën.
“Qysh ja keni nis me marrë me stupc, kështu nuk shkon”, ka thënë Veseli duke iu drejtuar Konjufcës.
Ndërsa në fjalën e tij, Konjufca ka kërkuar drejtësi për aktivistin Astrit Dehari.
“Në shtetet demokratike kur ndodhë një ngjarje si kjo përgjegjësia jepet e para e hetimet mund të zgjasin me vite. Ka humbur jetën një aktivist politik ai nuk kthehet më vdiq në burg por është e pa precedent që asnjë njeri të mos ndjej aq përgjegjësi sa të jap dorëheqje. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë”, ka thënë ai.
Veseli pas fjalës së deputetit të VV-së, sërish u është drejtuar deputetëve duke iu thënë që deri më tani nuk është ndjekur asnjë procedurë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Astrit Deharin. Ai ka thënë se edhe peticioni i dorrëzuar në Kuvend, i është drejtuar Komisionit për Peticione e jo Kryesisë së Kuvendit.
Veseli ka thënë se do të duhej të hetoheshin edhe njerëzit që kanë nxitur vrasjen apo vetëvrasjen e tij.