MKRS dhe Federata e Hendbollit të Kosovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, të shoqëruar nga trajnerët dhe lojtarët e Përfaqësues së Kosovës në hendboll, pas organizmit të suksesshëm të Kampionatit Botëror të Hendbollit për shtetet në zhvillim, me ç’rast përfaqësuesja e Kosovës mori medaljen e bronztë, duke e zënë vendin e tretë.

Eugen Saraçini, kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës e vlerësoi si shumë të suksesshëm këtë kampionat të organizuar për të parë në Kosovë dhe njëkohësisht e falënderoi ministrin Shala për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që i ka dhënë këtij aktiviteti të rëndësishëm.

Ministri Shala i përgëzoi lojtarët, drejtuesit e përfaqësueses dhe federatën për këtë sukses të rëndësishëm të sportit të Kosovës. Ai tha se “MKRS-ja është e zotuar që të mbështesë sportin dhe masivizimin e tij, ndërsa ky sukses i hendbollit të Kosovës, është një hap tejet i rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e mëtutjeshëm të sportit në Kosovë.”

Me këtë rast, u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe FHK-së, nëpërmjet të cilit, MKRS-ja për suksesin e treguar në këtë kampionat e shpërblen Federatën e Hendbollit dhe Përfaqësuesen e Kosovës me 10 mijë euro.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT