Mitrovicë, punimet në sheshin e qytetit përfundojnë deri në fund të gushtit

 

Një nga projektet kapitale që janë duke u realizuar në Mitrovicë është edhe rregullimi i Sheshit të qytetit. Ecuria e punëve në realizimin e tij është shoqëruar me pengesa të herë pas hershme, që kanë shkaktuar edhe vonesa në përfundimin e punëve.

Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, Sami Zeka, përmend ndërhyrjen e bizneseve dhe atë të banorëve, si shkaqe kryesore të prolongimit të punimeve.

“Një nga arsyet e zvarritjes së punimeve është ndërhyrja (përmes peticionit) e komunitetit të bizneseve që afektojnë në shesh, që punimet të prolongohen gjatë muajve Korrik dhe Gusht 2014. Me gjithë vërejtjen nga ana jonë si drejtori, që i kemi dy sezone vere dhe njëra do duhet doemos të sakrifikohet për bizneset, kryetari Agim Bahtiri, i ka pranuar arsyetimet e bizneseve dhe është arrit pajtueshmëri”, tha Zeka.

Sipas tij, kjo është aprovuar nga Zyra e BE-së që e mbështet financiarisht projektin, me një specifikim, me një përllogaritje të kostos së shtyrjes prej afër 42.000 euro dëme që kërkohen nga Komuna, e cila i është përgjigjur se nuk i posedon këto mjete financiare.

Ndërkaq, sa i përket ndërprerjes nga dinamika e punimeve, si shkak përmendet ndërhyrja nga banorët rreth pjesës së projektit, që edhe nuk e ka kaluar diskutimin publik (parafizibiliteti), të cilët kanë kërkuar së paku të merren parasysh vërejtjet në ruajtjen e gjelbërimit aq sa ka mundësi.

Edhe në këtë rast, kryetari Bahtiri ka pranuar arsyetimet e shoqërisë civile dhe është arrit pajtueshmëri. Mirëpo, një gjë e tillë është dashur t’i paraqitet edhe Zyrës së BE-së, e cila e ka aprovuar me një specifikim, që ndërrimet që i ka bërë grupi i ekspertëve botanik të BE-së dhe kontraktori, në bashkëpunim me Komunën si përfituese, të njëjtat të inkorporohen në projekt.

“Vërejtjet tona si kompetentë kanë qenë se çdo ndërrim në projektin bazë, nxjerr edhe pasoja në dizajn dhe aprovime nga donatori/investitori – Zyra e BE-së në Kosovë, për çka edhe janë vonimet e tanishme – aprovimet për çdo pjesë të ndryshuar në dizajn”, tha drejtori Zeka.

Sipas tij, tani më të gjitha pozicionet e punëve janë aprovuar nga donatori, pllakat janë porositur dhe arrijnë kah mesi i këtij muaji. Kontraktori ka premtuar se me arritjen e tyre do të punohet me plan dinamik të shtuar, kështu që përfundimi i punimeve do të zgjas një muaj.

Ndryshe, ky projekt ka filluar të realizohet në fund të muajit qershor të vitit të kaluar. Punët në realizimin e tij është duke i kryer “Jehona-SHPK” nga Malisheva, ndërkaq projekti mbështet financiarisht Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT